Reagimi epik i yllit të Francës ndaj Donald Trumpit

  • 14 November 2018 - 10:05
Reagimi epik i yllit të Francës ndaj Donald Trumpit

Mbrojtësi i Francës dhe Manchester Cityt, Benjamin Mendy, i ka reaguar në mënyrë epike presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpit, duke ia kujtuar liderit amerikan suksesin e fundit të vendit të tij në Kupën e Botës.

Presidenti Trump dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, janë në luftë fjalësh kohët e fundit.

Lideri francez e qortoi homologun e tij amerikan gjatë një fjalimi duke e dënuar nacionalizmin të dielën gjatë vizitës së Trumpit në Francë.

“Patriotizmi është mu e kundërta e nacionalizmit. Nacionalizmi është tradhti e patriotizmit. Kur thua ‘interesi jonë vjen i pari, ndërsa interesat e të tjerëve nuk kanë rëndësi’, në këtë mënyrë e zhduk gjënë më të çmuar të një kombi, atë e cila jep jetë dhe e bën kombin madhështor: vlerat e tij morale”, tha Macron të dielën.

Por, Trump, një njeri që nuk zmbrapset nga sfidat, i reagoi Macronit të martën në rrjetet sociale.

“Problemi është se Emmanuel vuan nga popullariteti shumë i ulët në Francë, vetëm 26%, si dhe nga shkalla e papunësisë prej 10%”, shkroi Trump, popullariteti i të cilit në Francë është vetëm 9 për qind.

“Ai thjesht u përpoq të dilte në një temë tjetër. Meqë ra fjala, nuk ka komb më nacionalist se Franca, popull shumë krenar, edhe janë me plot të drejtë”, shtoi ai.  

Po ashtu, Trump përdori shprehje nga fushata e tij presidenciale, duke thënë: “Bëjeni Francën përsëri madhështore”.

Mendy, natyrisht, i kushtoi vëmendje tërë kësaj, dhe e shprehu mendimin e vet. Mbrojtësi i Cityt theksoi se Franca tashmë e ka arritur nivelin e madhështisë pasi e fitoi Kupën e Botës këtë verë në Rusi.

24-vjeçari, i cili ishte pjesë e ekipit kombëtar të Francës që e fitoi Kupën e Botës në Rusi, iu përgjigj Trumpit, duke shkruar: “Mos u brengos, vëlla”, duke ia bashkangjitur postimit dy yje, që përfaqësojnë dy titujt e kampionit të Botës. 

 

(Kosova Sot)