Maradona: Mourinho është më i mirë se Guardiola

  • 14 November 2018 - 11:05
Maradona: Mourinho është më i mirë se Guardiola

Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Maradona, ka thënë se trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, është më i mirë se rivali i tij në Manchester City, Pep Guardiola, duke thënë se ai duhet të mësojë më shumë nga portugezi.

Guardiola arriti ta fitojë titullin e Premierligës me Manchester Cityt sezonin e kaluar, dhe skuadra e tij është përsëri liderë në tabelën e kësaj lige, përderisa skuadra e Mourinhos ka hasur në pengesa të shumta.

Megjithatë, Maradona beson se ish-trajneri i Real Madridit, Chelseat dhe Interit, Mourinho, është trajneri më i mirë në botë. Ai gjithashtu mendon se stili i Guardiolës funksionon për shkak të mbështetjes financiare që ka pasur ai gjatë karrierës.

“Për mua, Mourinho është më i mirë. Unë do t’ia jap meritën Guardiola që ka përfituar nga projekti që ia dha Johan Cruyff. Kam thënë shumë herë se tiki-taka nuk është zbuluar nga Guardiola, por nga Cruyff”, ka thënë Maradona.

“Në këtë moment, Guardiola e zgjedh cilindo lojtar në botë që dëshiron ta ketë në skuadër. Tiki-taka është më e lehtë në këtë mënyrë”.

“Unë si trajner dua të mësoj shumë dhe për këtë arsye mendoj se do të shkoj në Mançester dhe do të bisedoj me Mourinhon për ta pyetur atë për shumë gjëra sepse ai është më i miri, nuk kam asnjë dyshim për këtë”. 

 

(Kosova Sot)