Shkaku i Donjeta Sadikut, India rrezikon ta humbasë mundësinë për të organizuar ngjarje të mëdha sportive

  • 14 November 2018 - 11:28
Shkaku i Donjeta Sadikut, India rrezikon ta humbasë mundësinë për të organizuar ngjarje të mëdha sportive

India ia ka refuzuar kërkesën për vizë boksieres kosovare, Donjeta Sadikut, e cila do të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Grave, dhe tani rrezikon ta humbasë mundësinë për të organizuar ngjarje të tjera të mëdha sportive.

Kërkesa e Sadikut është refuzuar pasi që India nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe tani boksierja ka kohë deri të enjten për ta marrë një leje për hyrje para se të fillojë kjo garë, zyrtarët e së cilës dyshojnë se ajo mund të marrë pjesë.

Sadiku e posedon edhe një pasaportë të Shqipërisë dhe pritej që ajo, bashkë me dy trajnerët e saj, ta marrë vizën në mënyrë që të konkurrojë në Kampionatin Botëror të Boksit për Gratë AIBA.

Presidenti i Federatës së Boksit të Indisë, Ajay Singh, ka thënë se ai kishte qenë në bisedime me ministrin e punëve të jashtme në Delhi, por ata po përballen me një problem shumë të ndjeshëm.

Kosova u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014 dhe atletët kosovarë debutuan në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Rio para dy viteve.

Atletëve nga Kosova iu ndalua edhe garimi me flamurin e Kosovën në Kampionatin Botëror të Karates në Spanjë. Incidenti solli shumë presion mbi Spanjën dhe tani pritet që e njëjta gjë t’i ndodhë edhe Indisë.

Është bërë e ditur se përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte qenë se si mund t’ia pranojnë kërkesën për vizë një personi, shtetin e së cilit nuk e njohin.

“Ne mund të marrim një letër nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar së shpejti dhe rrezikojmë ta humbasim mundësinë e organizimit të garave të mëdha. Por, gjërat janë kështu”, ka thënë një zyrtar nga ministria.

Kosova do të ishte një nga nëntë vendet debutuese në këtë Botëror, ku do të garojnë plot 73 vende të ndryshme. 

 

(Kosova Sot)