Modric shpjegon arsyen pse nuk po e gjen formën e mirë

  • 14 November 2018 - 13:10
Modric shpjegon arsyen pse nuk po e gjen formën e mirë

Mesfushori kroat i Real Madridit, Luka Modric, ka thënë se ai nuk ka arritur të bëjë paraqitje po aq të mirë në fillim të këtij sezoni, për shkak të lodhjes nga Kupa e Botës dhe mungesës së një turneu parasezonal.

Modrici pati një sezon të mrekullueshëm vitin e kaluar, duke triumfuar me Real Madridin në Ligën e Kampionëve dhe duke arritur me Kombëtaren e Kroacisë deri në finale të Kupës së Botës në Rusi.

Kroati u shpërblye me titullin e FIFA dhe UEFA-s për lojtarin më të mirë të vitit, duke i dhënë kështu fund dominimit të Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messit. Ai është gjithashtu pretendenti kryesor për ta fituar Topin e Artë.

Megjithatë, si shumë lojtarë të tjerë të cilët kishin arritur sukses në turneun e Kupës së Botës, edhe Modrici nuk ka arritur t’i përsërisë paraqitjet e sezonit të kaluar për klubin e tij, pasi që e ndien lodhjen pas Botërorit.

“Është logjike që pas Kupës së Botës nuk mund të vazhdosh me të njëjtin ritëm, pasi që përballesh me shumë intensitet për një kohë të shkurtë dhe pastaj paguan për këtë gjë”, ka thënë Modric.

“Gjithçka shkoi në mënyrë të përsosur gjatë Kupës së Botës dhe të gjithë ishim në një nivel shumë të lartë. Që nga atëherë ka qenë e vështirë ta mbajmë të njëjtin nivel”.

“Ndihem më mirë tani, Kupa e Botës më harxhoi shumë në aspektin mendor, por ishte e rëndësishme për mua ta merrja pushim gjatë turneut parasezonal. Luajta një muaj pas finales së Kupës së Botës dhe kisha nevojë për një turne parasezonal. Tani ndihem më mirë, edhe këmbët edhe koka dhe gjithçka është më mirë”. 

(Kosova Sot)