Futbollistët nuk duan ta lëshojnë rastin historik

  • 15 November 2018 - 08:40
Futbollistët nuk duan ta lëshojnë rastin historik

Kosova dje ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, ndërsa sot ekspedita e Kosovës do të udhëtojë drejt kryeqytetit maltez, Valeta, atje ku do t'i zhvilloje edhe dy stërvitje para se të zbresë në fushë për ndeshjen ndaj Maltës që luhet të shtunën.

Janë vetëm dy ndeshje larg një suksesi historik dhe këtë shans assesi nuk duan ta lëshojnë. Kështu janë shprehur futbollistët e Kombëtares së Kosovës, të cilët dje kanë zhvilluar edhe stërvitjen e tretë në stadiumin "Fadil VokrrI' në Prishtinë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës ndaj Maltës që e luajnë në Valeta. Atmosfera në ekip ishte jashtëzakonisht e mirë, derisa motivi i lojtarëve dukej maksimal. Edhe prurjet e reja dukeshin entuziaste, të cilët dëshirojnë që sa më parë të lënë gjurmë në ekipin kombëtar. Portieri i Manchester City-t, Arjanet Muriqi së bashku me kapitenin Samir Ujkani dhe gardianin tjetër Visar Bekaj kanë punuar shumë në mënyrë që të jenë të gatshëm për ta ruajtur portën e Kosovës cilido që t'i vijë rasti. Në anën tjetër, sulmuesi i Luzern-it, Shkëlqim Demhasaj edhe pse ishte për herë të parë në Kosova, ka thënë se po ndihet sikur të ishte gjithmonë këtu.

Entuziazmi i madh në ekipin e Challandes-it

Kosova dje e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Prishtinë, derisa sot në mëngjes udhëton për Valeta, atje ku do t'i zhvillojë edhe dy seanca stërvitore, në mënyrë që të akomodohet sa më mirë me klimën e këtij vendi. Përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët, derisa shqetësimi i vetëm është ai i Mërgim Vojvodës, i cili vazhdon të ndjejë shqetësim nga një lëndim i pësuar në kampionatin belg. Edhe në këtë stërvitje, përkundër temperaturave të ulëta, "Dardanët" treguan përkushtim të madh, ku të gjithë po punojnë me zell dhe me padurim po e presin duelin kundër maltezëve. Gjatë seancës stërvitore, trajneri zviceran punoi në shumë aspekte, sidomos në pasime në hapësira të shkurtra, por edhe në shpejtësi të aksioneve, derisa ripërsëriti kërkesën e tij ndaj lojtarëve që të luajnë sa më thjeshtë. Kombëtarja e Kosovës sot në mëngjes do të udhëtojë drejt Maltës.

Berisha: Duam vetëm fitore asgjë tjetër

Futbollisti i Lazio-s, Valon Berisha ka thënë se ekipi është i gatshëm për ndeshjen e së shtunës ndaj Maltës, derisa ka konfirmuar se për Kosovën asnjë rezultat tjetër nuk është i kënaqshëm, përveç fitores. "E kemi mposhtur Maltën në fushën tonë, por kjo nuk do të thotë se do të jetë lehtë në ndeshjen kthyese. Çdo kundërshtar kur luan në fushën e vet e jep më të mirën për rezultat pozitiv dhe kështu do të bëjë edhe Malta, por ne kemi potencial për të fituar, pasi duam që në ndeshjen e fundit ndaj Azerbajxhanit të kemi përparësi edhe të pikëve", ka thënë Berisha, duke kujtuar se edhe barazimi nuk do të ishte i keq në Valeta, por gjithsesi ky nuk është synimi i tyre. "Shumëçka do të varet nga mentaliteti ynë në këto dy ndeshje. Ne kemi cilësi si ekip dhe me individë shumë të mirë dhe do të shkojmë me synimin për të dhënë 100 përqindëshin për njëri-tjetrin dhe për Kosovën", përfundoi Berisha.

Fitorja, qetësi për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit

Kosova aktualisht është e para në grup me 8 pikë, dy më shumë sesa Azerbajxhani, që është i dyti. Kosova ka hapësira për kalkulime në ndeshjen ndaj Maltës, pasi edhe në rast humbjeje do të ketë mundësinë që gjithçka të përmbysë në sfidën e fundit ndaj Azerbajxhanit që luhet në Prishtinë. Megjithatë, ekipi i Kosovës nuk e dëshiron këtë gjë, pasi futbollistët dëshirojnë të fitojnë ndeshjen e së shtunës, në mënyrë që të martën në fushën e stadiumit "Fadil Vokrri" të zbresin shumë më të qetë dhe mos të jenë të varur vetëm nga fitorja. "Nëse humbim ndaj Maltës do të ishte shumë keq, pasi kualifikimin do të duhej ta kërkojmë vetëm me fitore ndaj Azerbajxhanit dhe kjo jep presion. Këtë nuk e dëshirojmë, kështu që në sfidën e së shtunës duam fitore", ka thënë Berisha.

 

(Kosova Sot)