Ramosi i përgjigjet kritikave të Lovrenit: Ti kërkon vëmendjen e mediave, unë fitoj në fushë

  • 15 November 2018 - 10:12
Ramosi i përgjigjet kritikave të Lovrenit: Ti kërkon vëmendjen e mediave, unë fitoj në fushë

Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramosi, i është përgjigjur kritikave të mbrojtësit të Liverpoolit, Dejan Lovren, duke sugjeruar se kroati kërkon vëmendje nga media, por për spanjollin është e rëndësishme të fitojë në fushë.

Klubet e këtyre të dyve ishin ndeshur sezonin e kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve, trofeun e së cilës e kishte ngritur në fund Ramosi, pasi që “Los Blancos” kishin fituar me rezultat 3-1.

“E kam thënë këtë gjë shumë herë. Nuk e di nëse ai i thotë gjërat e tilla për shkak se është i zemëruar apo për diçka tjetër”, ka thënë Ramos.

“Nuk do t’i përgjigjem as Lovrenit dhe askujt tjetër që kërkon t’i marrë tri faqet e para të mediave ose të jetë titulli kryesor në një gazetë. Të gjithë fitojmë gjëra për veten në fushën e futbollit”.

Kroati e kishte bërë një intervistë me dy tifozë të futbollit, të cilët kanë krijuar një kanalin Copa90 në Youtube, ku kishte thënë se ai është një ndër mbrojtësit më të mirë në botë dhe se bën më pak gabime se Ramosi.

“Nganjëherë unë nuk e meritoj urrejtjen. Nëse e shikoni, Ramosi bën më shumë gabime se unë. Por, ai është në Real Madrid, ai e bën një gabim, ata fitojnë me rezultat 5-1, 5-1 dhe askush nuk i sheh gabime”, ka thënë Lovren.

(Kosova Sot)