Mavraj: Në fushë duhet të jenë 11 kapitenë

  • 16 November 2018 - 19:56
Mavraj: Në fushë duhet të jenë 11 kapitenë

Kapiteni Mërgim Mavraj shoqëroi trajnerin Panucci në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Skocinë në “Loro Boriçi”, që është edhe takimi i fundit i kuqezinjve për fazën në grupe të Ligës së Kombeve.

Qendërmbrojtësi pranoi si të drejta vërejtjet e Panuccit se skuadra komunikon pak në fushën e lojës dhe bëri thirrje që futbollistët të luajnë të bashkuar, për të ecur drejt rezultateve pozitive, duke filluar që nga përballja me Skocinë.

Trajneri ka thënë se kemi një skuadër “memece”, me lojtarë që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin…

Kjo është përgjegjësia e të gjithë skuadrës dhe në ndeshjen e fundit gabuam pikërisht për këtë arsye, gjë që na kushtoi edhe fitoren. Për këtë arsye trajneri ka shumë të drejtë, ndaj të gjithë duhet të mundohemi të jemi më të përqendruar dhe të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin.

Skuadra duket se pëson shumë gola…

Është shumë e vërtetë, por në shumë raste kemi bërë gabime personale dhe këto duhet t’i shmangim. Duhet të luamë të përqendruar dhe të shmangim gabimet, por natyrisht të shpresojmë që të kemi edhe pak më shumë fat.

A keni punuar për t’u mbrojtur në goditjet standarde?

Kemi punuar shumë edhe për këtë, por në goditjet standarde duhet vetëm përqendrim i lartë, për të shmangur gabimet dhe për të mos pësuar. E dimë që kjo është një pjesë e lojës, pasi shumë skuadra shënojnë shpesh me goditje standarde, pasi u kushtojnë rëndësi.

Çfarë përcjell ti si kapiten i skuadrës?

E kemi diskutuar shpesh rëndësinë e kapitenit në fushë, por unë mendoj që për të pësuar sa më pak, do të na duhet të bashkëpunojmë, duke u kujdesur të 11 lojtarët në fushën e lojës. Duhet të luajmë të gjithë mbrapa dhe të gjithë përpara, pasi vetëm kështu mund të shpresojmë për të përmirësuar situatën. Unë kam dëshirë që në fushë të ketë 11 kapitenë.

A besoni te fitorja?

Po të mos besonim, nuk do vinim fare për të luajtur.

 

(Kosova Sot)