Liga e Kombeve: Shqipëria turpërohet nga Skocia dhe rrezikon rënien nga Liga C

  • 17 November 2018 - 23:06
Liga e Kombeve: Shqipëria turpërohet nga Skocia dhe rrezikon rënien nga Liga C

Shqipëria rrezikon të bjerë nga Liga C në Ligën D pasi e ka mbyllur në vendin e fundit Grupin 1 të garës inauguruese të UEFA-s, Ligës së Kombeve, sepse u mund bindshëm nga Skocia 4-0 në Shkodër të shtunën.

Shqipëria u la në baltë nga kapiteni Mërgim Mavraj dhe e luajti shumicën e ndeshjen me një lojtar më pak duke ia bërë shumë të të lehtë fitoren 4-0 vizitorëve nga Skocia të shtunën në “Loro Boriçi” në Shkodër.

Si pasojë e kësaj humbjeje, Shqipëria e mbyll aventurën në fazën grupore në vendin e fundit, të tretin, me vetëm 3 pikë, nga katër ndeshje dhe rrezikon të bjerë një rang më poshtë, në Ligën D.

Nga katër takime në grupe, kuqezinjtë kanë një fitore dhe tri humbje.

Për skuadrën e Christian Panuccit nisi gjithçka keq, me Mërgim Mavrajn që gaboi të goli i parë i skocezëve pas një çereku lojë.

Sikur mos t’i mjaftonte më kaq, kapiteni Mavraj gaboi edhe njëherë në minutën e 22-të, duke e lënë skuadrën në baltë, pasi u përjashtua me karton të kuq sepse e goditi kundërshtarin me kokë në mënyrë aspak sportive.

Kjo bëri që një kosovar, Ardian Ismajli, ta bëjë debutimin e tij për Shqipërinë dhe t’ia mbyllë vetes derën për ta përfaqësuar Kosovën ndonjëherë, pasi u fut në lojë në vend të Ergys Kaçës pas gjysme ore lojë.

Dy minuta para pushimit mes pjesëve, Steven Fletacher e dyfishoi epërsinë e Skocisë duke shënuar nga penalltia.

Vizitorët i shënuan edhe dy gola tjerë në përmes James Forrest në minutat 55-të dhe 67-të.

Mali i Zi, Qipro dhe Hungaria janë ekipet tjera që e rrezikojnë rënien nga liga, por për dallim nga Shqipëria, ato kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluara dhe fati i kuqezinjve varet nga to. 

 

(Kosova Sot)