Kërkohen dënime ndaj Indisë

  • 18 November 2018 - 08:21
Kërkohen dënime ndaj Indisë

India nuk lejoi për herë të dytë boksieren Donjeta Sadiku të marrë pjesë në Kampionatin Botëror. Tashmë, India po përballet me presion të madh dhe rrezikon që të mos organizojë ngjarje madhore për shkak të Kosovës. Për shkak të presioneve, Spanja mori vendim që të pranojë himnin dhe flamurin e Kosovës, edhe pse nuk e njeh pavarësinë. Masa të ashpra kërkohen edhe ndaj Indisë .

Përkundër presionit të madh, India nuk lëshoi pe, dhe nuk lejoi boksieren e Kosovës, Donjeta Sadikun të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të organizuar në Nju- Delhi. Kështu kishte ndodhur edhe sa Donjeta ishte juniore. Ajo së bashku me ekipin e Kosovës ishin pajisur edhe me pasaportë shqiptare, por as kjo nuk kreu punë, dhe Sadiku padrejtësisht nuk u lejua të marrë pjesë në këtë Botëror. Ajo që disa muaj ishte përgatitur për këtë garë shumë të rëndësishme. Në një situatë të ngjashme ishte Spanja, që lejoi garuesit e Kosovës të marrin pjesë, por pa simbole. Megjithatë, për shkak të presioneve të mëdha, Qeveria spanjolle, vendosi të pranojë himnin dhe flamurin e Kosovës, edhe pse nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Frika e pasojave serioze

Tashmë, India është në rrezik që të mos organizojë ngjarje madhore për shkak të Kosovës. Presidenti i Federatës së Boksit të Indisë, Ajay Singh, ka thënë se ai kishte qenë në bisedime me ministrin e punëve të jashtme në Delhi, por ata po përballen me një problem shumë të ndjeshëm. Është bërë e ditur se përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte qenë se si mund t'ia pranojnë kërkesën për vizë një personi, shtetin e së cilit nuk e njohin. Nga frika e pasojave serioze, Komiteti Olimpik i Indisë i ka kërkuar ministrisë së Sportit të Indisë që menjëherë të zgjidhë çështjen e vizës së boksieres kosovare, Donjeta Sadiku. Në një letër të fuqishme drejtuar Ministrisë së Sportit presidenti i IOA-së, Narinder Batra thotë se mospjesëmarrja e Sadikut në i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit, thotë se mos dhënia e vizave për boksieren e vetme të Kosovës mund të çojë në kërkesën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik që të mos i jep Indisë organizimin e ngjarjeve të mëdha. Më tutje Batra i ka kujtuar Ministrisë se ka shumë shembuj në të cilën organizatori përkundër që nuk e ka njohur një shtet, ia ka lejuar pjesëmarrjen në ngjarjet sportive. "Organizatat ndërkombëtare të sportit nuk mund të pranojnë një situatë kur një organizator në mënyrë të njëanshme ndalon pjesëmarrjen e atletëve të caktuar nga vende të tjera/territore për arsye politike. Përndryshe, kjo kërcënon parimet themelore të Lëvizjes Olimpike", shkruan më tutje ai.

 

Edhe Lojërat Olimpike

Edhe Këshilli Olimpik i Azisë ka paralajmëruar Indinë se mund të humbasë të drejtën e saj për të organizuar ngjarje të mëdha sportive në të ardhmen, gjithmonë si shkak duke marrë shembullin e refuzimit të pjesëmarrjes ndaj Donjeta Sadikut. India ka shprehur dëshirën për të organizuar Olimpiadën më 2032 dhe Lojërat Aziatike më 2030. "Incidenti ka hedhur seriozisht dyshimin mbi pranueshmërinë e Indisë në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare dhe në Lojëra të tjera të mëdha, si Lojërat Olimpike, Lojërat Aziatike, e ngjarje të tjera në Indi", shkruan presidenti i Këshillit Olimpik të Azisë, Ahmed AlFahad Al-Sabah, në letrën drejtuar institucioneve indiane. Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, ka thënë se kjo garë ishte shumë e rëndësishme për Donjetën. "Pothuajse e njëjta histori e dhimbshme boksieres sonë i ndodhi vitin e kaluar, kur pikërisht India ia mohoi të drejtën e pjesëmarrjes, me motivacion se ky shtet nuk e ka pranuar Kosovën dhe nuk i lejoi hyrjen, përkatësisht nuk ia dha vizën. Për Donjetën pjesëmarrja në këtë kampionat ishte jashtëzakonisht me rëndësi, pasi që Botërori i NuDelhit përcakton pjesëmarrjen e boksieres kosovare në Lojërat Olimpike Verore. Po këto probleme përgjatë kësaj periudhe i patën edhe ekipet e Kosovës nën volejboll, hendboll dhe basketboll, të cilat në çastet e fundit, pas shumë peripecive morën vizat për të marrë pjesë në garat përkatëse që u organizuan në Bosnje e Hercegovinë, shtet ky që ende nuk e ka pranuar Kosovën dhe tash del hapur me fajin e faktorit serb kundër kësaj pjesëmarrjeje. Gjithçka e keqe që po ndodhë në sportin e Kosovës dhe paraqitjen në arenën ndërkombëtare po na vjen nga politika e shteteve që ende nuk e kanë pranuar Kosovën, sidomos nga Serbia, që, një ditë, kur do ta pranojnë realitetin e krijuar, do të turpërohen për gjithë ato pengesa që ua kanë bërë sportistëve të Kosovës", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)