Ku ndodhet peceta, në të cilën Messi nënshkroi kontratën e parë me Barçën?

  • 18 November 2018 - 09:54
Ku ndodhet peceta, në të cilën Messi nënshkroi kontratën e parë me Barçën?

Në një pecetë të vogël katërkëndëshe, e bërë për ta pastruar gojën dhe duart, ishte shkruar një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e sportit, kontrata e Lionel Messit me Barcelonën.

Në shtator të vitit 2000, Messi, në moshën 13-vjeçare, kishte arritur me familjen e tij në Barcelonës përmes përfaqësuesve të Argjentinës, Fabian Soldinit dhe Martin Monteros, dhe ndërmjetësit të tij në Spanjë, Horacio Gaggiolit.

Argjentinasi arriti ta dëshmojë talentin e tij, dhe familja Messi u kthye në Rosario me premtimin për një ofertë kontrate. Presidenti i atëhershëm e Barcelonës, Joan Gaspart, mendonte se është e rrezikshme ta transferojë në atë kohë të riun, por Gaggioli e kërcënoi duke thënë se ai do t’ia ofronte Messin klubeve të tjera.

Më 14 dhjetor, Gaggioli arriti ta bindë sekretarin teknik të Barcelonës, Carles Rexach, që t’ia ofrojë argjentinasit një kontratë. Ata ishin duke ngrënë drekë në një restorant, dhe Rexach e mori një pecetë ku shkroi:

“Në Barcelonë, më 14 dhjetor 2000, në prezencën e Messr. Minguella dhe Horacios, Carlos Rexach, sekretari teknik i FCB-së, e merr përgjegjësinë që përkundër disa mendimeve, ta transferojnë lojtarin Lionel Messin, për aq kohë sa nuk ndryshohet shuma e kërkuar”.

Kjo pecetë tani i përket Gaggiolit, i cili jeton në Andorë dhe tani e ka ruajtur atë në një kasafortë në Bankën e Andorës. Ai thotë se ka marrë oferta prej miliona eurosh për këtë dokument.

“Mendoj se peceta duhet të ruhet në Muzeun e Barcelonës. Kjo gjë e ka ndryshuar historinë moderne të klubit. Mendoj se duhet të jetë aty, në një vend afër Topave të Artë të Messit”, ka thënë Gaggioli.

Para disa viteve, muzeu e kishte kontaktuar Gaggiolin, por negociatat kishte mbetur në gjysmë pasi që klubi i kishte thënë Gaggiolit se kontrata ishte konfidenciale dhe ata nuk duan ta ekspozojnë atë në publik derisa Messi të largohet nga klubi apo të pensionohet. 

 

(Kosova Sot)