Mediat italiane të magjepsura me Kosovën: Kjo kombëtare po shkruan historinë

  • 18 November 2018 - 16:35
Mediat italiane të magjepsura me Kosovën: Kjo kombëtare po shkruan historinë

Mediat italiane kanë raportuar për fitoren mbresëlënëse të Kosovës ndaj Maltës, duke i lavdëruar “Dardanët” për punën e mrekullueshme që kanë bërë, madje duke e quajtur rrugëtimin e Kosovës një përallë.

“Përralla e Kosovës. Një kombëtare e zyrtarizuar më pak se dy vite më parë është vetëm një pikë larg suksesit të madh të historisë së saj”. Kështu nis artikulli i publikuar në “Gazzetta.it” mbi ecurinë fantastike të verdhebluve.

“Do të mjaftojë të mos humbasë kundër Azerbajxhanit për të festuar kalimin historik në Ligën C të Nations League. Meritë e fitores së jashtëzakonshme 5-0 të marrë kundër Maltës, që e ka lejuar këtë kombëtare të vogël të ketë një rol si protagoniste në këtë kompeticion”.

Realitet – “Kosova është një realitet solid. Akoma e pamposhtur në 2018-ën dhe mund ta mbyllë vitin pa asnjë njollë. Gjashtë fitore dhe dy barazime në këtë vit kalendarik dhe një kryesim në Grupit C të Ligës D, i siguruar falë 3 fitoreve dhe dy barazimeve, me tetë gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar”, vazhdon shkrimi.

“Aq sa mjafton për të arritur një ngjitje të pamenduar, e cila mund të arrihet me një mbyllje perfekte të vitit. Në fakt, mjafton një pikë në ndeshjen që do të luajë në shtëpi kundër azerbajxhanasve për të arritur një kualifikim që do të kishte një domethënie të jashtëzakonshme, përtej rezultatit sportiv”.

Identitet – “Kombëtarja e Kosovë, edhe pse shumë e re, ka rrënjë të thella. Bijë e një toke të përvuajtur nga lufta për pavarësi, ajo ka një identitet të vetin, të përforcuar edhe nga zgjedhjet e bëra nga lojtarë të ndryshëm që i janë bashkuar kauzës, si Berisha dhe Ujkani.

Zgjedhje – “Më pas ka nga ata si Hetemaj, që kanë preferuar të mos përballen me të duke mos patur mundësinë për ta përfaqësuar. Sepse ‘një gjë është të zgjedhësh të mos luash për Kosovën, një tjetër është të luash kundër njerëzve të tu’. Ai që ka patur mundësi të zgjedhë ka qenë Milot Rashica, që ka shënuar golin e pestë kundër Maltës. Është kërkuar nga Shqipëria, por, duke parë se nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me kombëtaren kuqezi, ka zgjedhur të mbrojë atë të Kosovës”, përfundon shkrimi.

Kosova do ta luajë ndeshjen e fundit të fazës me grupe të Nations League kundër Azerbajxhanit 20 nëntorin e ardhshëm. Një ndeshje që, më shumë se për tri pikët që do të jenë në lojë, do të vlejë për historinë.

 

(Kosova Sot)