Sarri: Mourinho i jashtëzakonshëm, por Kloppin e kam më shok

  • 19 November 2018 - 15:09
Sarri: Mourinho i jashtëzakonshëm, por Kloppin e kam më shok

Trajneri italian i Chelseat, Maurizio Sarri, e ka lavdëruar trajnerin i Manchester Unitedit, Jose Mourinhon, duke e quajtur atë të jashtëzakonshëm, mirëpo ka bërë të ditur se shok më të mirë e ka trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Kloppin.

Sarri e ka filluar këtë sezon me klubin e tij të ri në mënyrë të mrekullueshme, pasi që ende nuk e ka humbur asnjë ndeshje. Ai e ka drejtuar klubin e tij në gjithsej 12 ndeshje këtë sezon duke ia siguruar vendin e tretë në tabelën e Premierligës.

Chelsea u përfshi në një numër të ndeshjeve mjaft interesante, pasi gjatë kohës së fundit skuadra e tij është përballur edhe me Liverpoolin e Jurgen Kloppit edhe me Manchester Unitedin e Jose Mourinhos.

“Në një pikë, unë u ktheva drejt Kloppit dhe e pashë se ai ishte duke buzëqeshur. Iu afrova dhe e pyeta pse po buzëqeshte. Dhe ai më tha: ‘Jam duke kaluar mirë, po ti?’, unë iu përgjigja se edhe unë”, ka thënë Sarri.

“Këtu, kur përjeton situata të tilla, ti e kupton se e ke arritur nivelin më të lartë. Unë ndihem më afër Kloppit, sa i përket aspektit filozofik. Këmbimi i fjalëve mes neve mua më duket shembullor”.

“Mourinho është një njeri me cilësi të jashtëzakonshme. Ai ma la një përshtypje të shkëlqyeshme atë ditë në ndeshjen në Stamford Bridge kur ndodhi incidenti me një nga ndihmësit e mi”

“Në nivelin profesional ka shumë pak gjëra që mund t’i them për të, ai ka fituar gjithçka gjithkund. Emery është dijetar dhe një profesionist i shkëlqyeshëm. Organizimi i lojës në aspektin e sulmit që e bën ai është në nivelin më të lartë”. 

 

(Kosova Sot)