Skandaloze, Rumania synon që ta ndalojë himnin e Kosovës në ndeshje basketbollistike

  • 19 November 2018 - 19:51
Skandaloze, Rumania synon që ta ndalojë himnin e Kosovës në ndeshje basketbollistike

Çështja e shtetit të Kosovës është bërë temë edhe njëherë në sport. Pas Spanjës që s’lejoi karateistët kosovarë të marrin pjesë me simbole shtetërore dhe Indisë që ia pamundësoi boksieres Donjeta Sadiku pjesëmarrjen në botëror, edhe Rumania mund të jetë qendër e lajmeve të ndërhyrjeve politike në sport.

Kjo pasi që më 29 nëntor, Rumania pret përfaqësuesen e Kosovës në basketboll në kuadër të Grupit B parakualifikues për Eurobasketin 2021. Me këtë rast, në Rumani që nuk e njeh Kosovën si shtet, është hapur çështja se a do të lejohet intonimi i himnit.

Mediumi “Bihon” ka shkruar sot se përgjigja nëse do të lejohet intonimi i himnit të Kosovës në këtë ndeshje akoma nuk dihet.

Serban Sere, kryetari i CSM Oradea, klubit që menaxhon me sallën në Oradea ku do të luhet ndeshja, ka thënë se dilema duhet të zgjidhet nga organizatori i ndeshjes, Federata e Basketbollit e Rumanisë. Teksa presidenti i kësaj federate Horia Paun ka thënë se do t’i drejtohet Ministrisë së Jashtme për sqarim.

Derisa s’ka pranuar të përgjigjet, Paun ka thënë se Kosova është pranuar nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit dhe me Kosovën do të luajnë dy ndeshje, një vendas dhe një mysafir.

Përgjigje të paqartë ka dhënë edhe Ministria për Rini dhe Sport.

Daniel Lazar, këshilltar i Kabinetit të Sekretarit në këtë ministri, ka thënë se do të diskutohet me Sekretarin e Shtetit për të vendosur për këtë çështje.

Në Grupin B, Maqedonia prin me dy fitore në po aq ndeshje, ndërsa Kosova e Rumania kanë nga një humbje.

Së fundmi për ndërhyrjet e politikës në sport, sidomos për çështjen e Kosovës, ka reaguar edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Federata Botërore e Boksit. Spanja është dorëzuar pas presionit dhe ka vendosur që në të ardhmen të pranojë simbolet e Kosovës, ndërsa India rrezikon të mosmbajë Botërorin e ardhshëm.]

 

 

(Kosova Sot)