Shpresat për rikthimin e skuadrave të mëdha

  • 20 November 2018 - 09:15
Shpresat për rikthimin e skuadrave të mëdha

Trepça në katër xhirot e fundit, ka tri fitore

Pas një fillimi jo të mirë, skuadra e Trepçës ka filluar të këndellet dhe në katër ndeshjet e fundit ka tri fitore. Gjithashtu, edhe Bashkimi ka dy fitore radhazi, një në Ligën Ballkanike dhe një në Superligë, duke dhënë shpresa se do të këndellen. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi shprehet se, me rikthimin e këtyre dy skuadra, do të përfitojë edhe basketbolli kosovar

Xhiroja e dhjetë në Superligën e Kosovës veçohet me tri ndeshje, në të cilat pritet rivalitet i madh në parket. Të martën Trepça është nikoqire e Lipjanit, ndeshje kjo që do të luhet nga ora 17:00 në palestrën e sporteve "Minatori" në Mitrovicë. Në ballafaqimin e luajtur në kuadër të xhiros së tretë, Lipjani pati triumfuar si mysafir ndaj Trepçës me rezultat 65:59. Trepça në nëntë xhirot e para ka regjistruar tre fitore e gjashtë humbje dhe zë vendin e shtatë në renditje, derisa Lipjani të vetmen fitore e ka shënuar ndaj ekipit mitrovicas, përderisa ka regjistruar edhe tetë humbje. Po të martën në program është një tjetër ndeshje, ajo në mes Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit që do të zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën "Shani Nushi" në Gjakovë. Rahoveci në nëntë xhirot e para ka realizuar shtatë fitore e dy humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka bilanc prej pesë fitore e katër disfata. Në përballjen e parë të këtij edicioni, fitore pati shënuar Rahoveci me shifrat 89:83. Ndërkaq të mërkurën do të takohen rivalët lokal, Ponte Prizreni dhe Bashkimi, ndeshje kjo që do të luhet në palestrën e sporteve "Sezai Surroi" në Prizren nga ora 19:00. Ekipi kampion në fuqi, Bashkimi zë vendin e katërt në tabelë me katër fitore e pesë humbje, kurse Ponte Prizreni e ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ndaj Z Mobile Prishtinës, dhe ka bilanc prej katër fitore e katër disfata, duke u renditur në pozitën e gjashtë. Në ballafaqimin ndërmjet këtyre dy skuadrave në kuadër të xhiros së tretë pati triumfuar Bashkimi me shifrat 80:77. Këndellja e mitrovicasve Në xhirot e fundit vërehet rikthimi i Trepçës, që ka shënuar tri fitore në katër ndeshjet e fundit, duke pësuar vetëm nga prishtinasit. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, shprehet se mitrovicasit nëse vazhdojnë me këtë ritëm atëherë do të përfundojnë në 'Play-off'. "E kam thënë edhe më herët se Trepça, ka probleme të natyrës tjetër, e jo të lojtarëve dhe trajnerit që i kanë skuadrat tjera. Trepça në radhët e veta ka lojtarë mjaft të mirë vendorë. Ka qenë shumë brengosëse fillimi i kampionatit dhe rezultatet që kishte në fillim të edicionit. Por, gjithmonë kam qenë i bindur se do të këndellen dhe do t'i radhitin fitoret një nga një. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjet e fundit. Kjo na inkurajon dhe na bën të besojmë se Trepça po konsolidohet dhe po kalon krizën që kishte. Kjo është shumë pozitive për Superligën vendore dhe basketbollin në tërësi. Duke e ditur se Mitrovica është një çerdhe e basketbollit vendor dhe njëkohësisht tifozëve më besnikë në Kosovë. Nëse vazhdon me këtë ritëm, Trepçën, e shoh pa problem në përfundimtare e "Play-off"-it", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prizrenasit e nisën me shumë probleme Bashkimi edicionin e kaluar u shpall kampion, derisa në këtë fillim kampioni kishte shumë probleme të natyrave të ndryshme. Por, edhe për prizrenasit ka shpresa se do të këndellen. "Edhe Bashkimi u ballafaqua me shumë probleme dhe atë me ndërrimin e zyrtarëve të klubit, ku edhe normalisht ka ndikuar në atmosferën e gjithmbarshme të klubit. Ekipi tani ka filluar të konsolidohet dhe pres po ashtu, që edhe Bashkimit t'i kthehet rezultateve pozitive. Kjo është shumë e rëndësishme për basketbollin e Kosovës, sepse mban epitetin e kampionit. Gjithashtu edhe prizrenasit i shoh në pjesën përfundimtare të kampionatit, nëse vazhdojnë kështu. Kjo do të ishte shumë pozitive për basketbollin e Kosovës, që Trepça dhe Bashkimi, të jenë pjesë e Top-4", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)