Suarez e qorton Dembelen: Të jesh futbollist është privilegj, prandaj bëhu serioz

  • 20 November 2018 - 11:10
Suarez e qorton Dembelen: Të jesh futbollist është privilegj, prandaj bëhu serioz

Para përballjes mes Kombëtares së Uruguait dhe asaj të Francës, Luis Suarez e ka këshilluar bashkëlojtarin e tij në Barcelonë, Ousmane Dembele, duke thënë se të jesh futbollist është privilegj dhe për këtë arsye ai duhet të përqendrohet në futboll.

Në Paris do të takohen përsëri Dembele dhe Suarez pasi që Franca e pret Uruguain për një ndeshje miqësore. Për dallim nga ndeshjet e kaluara kur këta të dy luajnë në të njëjtën skuadër, këtë herë ata do të jenë kundërshtarë.

Ish-lojtari i Dortmundit ka marrë shumë kritika për sjelljen dhe profesionalizmin e tij gjatë këtij sezoni, pasi që është raportuar se ai vonohet në stërvitje, por edhe për ndeshje. Suarezi i ka komentuar këto lajme, duke thënë se Dembele duhet ta ndjekë shembullin e futbollistëve të tjerë në zhveshtoren e Barcelonës.

“Të jesh futbollist është një privilegj i vërtetë. Ai duhet të përqendrohet në futboll”, ka thënë Suarez.

“Ka shumë shembuj të profesionalizmit në zhveshtoren e Barcelonës dhe ai duhet të frymëzohet nga ata”, shtoi ai.

Suarezi nuk është lojtari i parë i Barcelonës i cili flet publikisht për joprofesionalizmin e Dembeles, për shkak të vonesave të tij në stërvitje dhe mospërshtatja me dietat e përcaktuara nga mjekët dhe trajneri i klubit.

Para disa ditëve, Gerard Pique e kishte paralajmëruar Dembelen se ai duhet t’i jetojë 24 orët e ditës së tij si një futbollist, ndërsa legjenda e klubit Carles Puyol ka thënë se Dembele duhet të reflektojë mbi situatën e tij para se të bëhet shumë vonë. 

 

(Kosova Sot)