Presidenti i UEFA-s i godet klubet e mëdha: Po ëndërroni...

  • 20 November 2018 - 11:31
Presidenti i UEFA-s i godet klubet e mëdha: Po ëndërroni...

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka insistuar krijimi i një Super Lige nga klubet e mëdha evropiane është i pamundur, dhe ka paralajmëruar që një ligë e tillë do ta shkatërronte konkurrencën në futbollin evropian.
Në vitin 2016, kur FIFA dhe UEFA ishin në krizë lidershipi për shkak të akuzave për korrupsion, disa nga klubet më të mëdha evropiane filluan ta planifikojnë organizimin e një lige të re, Super League, duke e krijuar kështu mundësinë për të mos garuar më në liga vendore, por edhe në Ligën e Kampionëve.

Klubet më të suksesshme të Evropës kishin planifikuar të mblidhen dhe ta fillojnë organizmin e kësaj ligë. Themeluesit e Super League, të cilët do të ishin pjesëmarrës të përhershëm, konsiderohen: Real Madridi, Barcelona, Manchester United, Bayern Munich, Juventus, Chelsea, Arsenal, Paris Saint-Germain, Manchester City, Liverpool dhe Milan.

“Super Liga nuk do të ndodhë. Në njëfarë mënyrë është trillim ose ëndërr.  Ne i kemi disa ide. E vetmja gjë që mund ta them është se për Super Ligën nuk duhet as të diskutojmë. Klubet do të vazhdojnë me pjesëmarrjen e tyre”, ka thënë Ceferin.

“Të gjithë do ta kenë mundësinë të konkurrojnë në gara evropiane. Për fat të keq, në botë shpeshherë të pasurit bëhen edhe më të pasur. Mendoj se ne jemi një nga organizatat e rralla në botë që e luftojmë këtë problem”.

“Ne e dimë se ngadalë jemi duke e mbyllur hapësirën mes klubeve të pasura dhe të tjerave, por kjo ndoshta do të jetë e pamundur të ndalet plotësisht. Nuk jam i sigurt se duhet patjetër të tentojmë t’i bëjmë të gjithë të barabartë, pasi që nëse një klub është duke punuar shumë dhe mirë, ai duhet të shpërblehet”.

“Por nuk është e drejtë të themi se çdo klub duhet ta dijë vendin e vet. Të gjitha klubet duhet të garojnë pasi që rezultatet janë të rëndësishme për kualifikim. Nëse klubet hyjnë në një garë bazuar në diçka tjetër përpos rezultateve, do të ishte e çuditshme”. 

(Kosova Sot)