ESPN film dokumentar për Shqipëri-Serbi

  • 04 October 2015 - 12:28
ESPN film dokumentar për Shqipëri-Serbi

Shqipëri-Serbi më 8 Tetor do të shërbejë si vitrinë për vendin tonë, jo vetëm në Europë, por në mbarë botën. Një përballje e denjë për të tërhequr vëmendjen e një gjigandi mediatik ndërkombëtar, si ESPN.

Rrjeti prestigjoz amerikan ka dërguar në vendin tonë grupin e parë të xhirimit, në përgatitjet e filmit dokumentar “Balkan Match”, “Ndeshja e Ballkanit” që do të luhet në “Elbasan Arena”.

Në përgatitje do të jenë të angazhuara tetë grupe xhirimi, që do të pasqyrojnë përgatitjet për ndeshjen me serbët, por vëmendja kryesore do të jetë në atë që ndodh në fushë dhe tribuna.

Në përgatitjet për sfidën unike të kualifikueseve të Euro 2016, nuk kishte si të mungonte një copëz e derbit të Tiranës. Pas Sky-it në Itali, që i kushtoi një hapësirë të veçantë ndeshjes Partizani-Tirana, grupi i xhirimit të ESPN ishte i pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa”. Filmi dokumentar “Balkan Match” do të prezantohet fillimisht në kinematë amerikane, për t’u ndjekur më pas në të gjitha vendet e tjera.

Një tjetër arsye shumë e fort përse përballja Shqipëri-Serbi duhet të kalojë pa incidente, pa diskriminim ndaj ekipit kundërshtar apo situata që nuk kanë lidhje me lojën. Vetëm mbështetje për Kombëtaren drejt ëndrrës për kualifikimin në Francë.