Mercedes, 104 mln Euro humbje nga triumfi në Botërorin e Formula 1

  • 04 October 2015 - 14:02
Mercedes, 104 mln Euro humbje nga triumfi në Botërorin e Formula 1

Mercedes e pagoi shtrenjtë suksesin në Botëroritn 2014 të Formula 1. Prodhuesi nga Shtutgarti njoftoi se e mbylli bilancin me 76,9 milionë Stërlina humbje, ose ndryshe diçka më tepër se 104 milionë Euro. Shkaku kryesor për humbjen cilësohet rritja e kostove të prodhimit, në mënyrë të veçantë për hibridin me 6 valvula. Në zhvillimin e motorit të ri, shpenzimet e Mercedes shkuan nga 258 milionë Euro në më tepër se 325 milionë.

Ndër të tjera janë rritur edhe shpërblimet për stafin që punon në “Cirkus”, pa harruar edhe investimet në zgjerimin e personelit, që nga 663 persona në vitin 2013 ka kaluar në 765 të punësuar gjatë vitit 2014. Për pasojë shpenzimet për rrogat u rritën nga 67 milionë euro në 88 milionë. Sipas gjigandit gjerman të automobilëve, situata e krijuar nga humbet financiare do të përmirësohet, pas marrëveshjes me bosin e Formula 1, Bernie Eçlestone.

Njeriu që administron të drejtat komerciale të “cirkusit” i garantoi skuadrës që po dominon garat e Formula 1 një rritje të rëndësishme të të ardhurave, në bazë të paraqitjeve të kampionatit të kaluar dhe rezultateve të këtij sezoni.