Nadal: Po punoj të rikthehem më i fortë sezonin tjetër

  • 04 October 2015 - 14:33
Nadal: Po punoj të rikthehem më i fortë sezonin tjetër

Rafael Nadal është shprehur me nota optimiste për pjesën e fundit të sezonit. Nga Kina ku ndodhet për turneun e Shanghait, tenisti nga Mallorca e pranon se gjatë këtij sezoni nuk e ka pasur të lehtë.

“Jam i qetë sepse kalova një vit të vështirë. Gjatë gjithë muajve të fundit e kam pasur pothuajse të pamundur për të luajtur mirë. Do të përpiqem të luaj mirë në të gjithë turnetë e këtij viti dhe të konkurroj në nivele sa më të larta për të fituar një formë të mirë për sezonin e ardhshëm”.

Gjithsesi, ai e pranon se nëse bën një përmbledhje, ky nuk mund të konsiderohet një sezon pozitiv, por shton se do të punojë për ta kaluar këtë situatë të vështirë.

“Kam hasur shumë vështirësi gjatë muajve të parë por herët a vonë do të rikthehem si më parë”. 

Spanjolli e ka fituar turneun e Pekinit në vitin 2005 dhe ka qenë finalist në vitin 2011 ku u mund nga Novak Djokovic, i cili është shpallur fitues në 5 nga 6 edicionet e fundit.