Mourinho: Nuk largohem, vendos klubi!

  • 04 October 2015 - 14:48
Mourinho: Nuk largohem, vendos klubi!

Protagonist si në fitore edhe në humbje. Jose Mourinho nuk u largohet përgjegjësive pas disfatës së radhës në “Stamford Bridge” ndaj Southampton, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga stoli vetëm nëse një vendim të tillë do ta marrin drejtuesit. Ky është starti më i dobët i sezonit për Chelsean që prej 37 vitesh me 8 pikë në 8 ndeshjet e para ku regjistron 4 humbje pa llogaritur atë në Champions League kundër Portos.

“Objektivi titull bëhet më i vështirë sepse diferenca me vendin e parë është shumë e madhe por jam i bindur se do ta mbyllim kampionatin mes 4 të parëve. Është një moment delikat në historinë e klubit sepse nëse më shkarkojnë, do të largojnë trajnerin më të mirë që ky klub ka pasur. Rezultatet e arritura janë për faj të trajnerit por të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të qëndrojnë të bashkuar”.

Një deklaratë në stilin Mourinho, i cili nuk pranon të bëhet shënjestra kryesore e kritikave, madje ai shkon edhe më tej duke kërkuar të gjejë fajtorin e disfatës së radhës.

“Arbitrat kanë frikë të marrin vendime në favorin tonë dhe nuk më intereson fare nëse federata do të më dënojë për këtë qëndrim. Në momentin kur ndeshja ishte në barazim nuk na dhanë një penallti. Penallti shumë të qarta nuk akordohen, madje kjo ndodh edhe në Champions ku meritonim një 11 metërsh në fundin e takimit të Portos”.