Kaçe: Është vetëm lojë futbolli, por do të japim 200% për fitore

  • 06 October 2015 - 18:25
Kaçe: Është vetëm lojë futbolli, por do të japim 200% për fitore

Ergys Kaçe është njëri nga shpresat e Kombëtares shqiptare për të ardhmen e ndritur që i pret kuqezinjtë.

Djaloshi nga Korça i lindur dhe rritur në Greqi, Ergys Kaçe, refuzoi Kombëtaren helene për t’i mbrojtur ngjyrat e Kombi të vet, për t’i mbrojtur ngjyrat më të bukura në botë, atë të kuqe dhe të zezë.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, 22-vjeçari flet për ndeshjen e radhës të Shqipërisë ndaj Serbisë, kualifikimin e mundshëm si dhe ka një mesazh të qartë për tifozët shqiptarë.

“Është një ndeshje tejet e rëndësishme, si për mua ashtu edhe për gjithë kombin shqiptarë. Shpresojmë në një paraqitje të mirë”, shprehet fillimisht Kaçe i cili po kalon nëpër një formë të mrekullueshme me skuadrën e tij PAOK.

Sa je i gatshëm për këtë ndeshje? “Unë jam në një formë shumë të mirë dhe jam gjithmonë i gatshëm për Kombëtaren. Nëse luaj do të jap 200% nga vetja ime për të mirën e Shqipërisë”, thotë Kaçe për Telegrafin.

Ergys, keni ditur të shënoni gola të bukur me Shqipërinë, si aj ndaj Francës apo ndaj Armenisë dy vite më parë. Duhet të presin tifozët shqiptarë një tjetër gol nga ti për këtë takim? “Nëse do të ndodhte që të shënoj përsëri do të isha shumë i lumtur. Por me rëndësi është të fitojmë dhe pak ka rëndësi se kush shënon gol”, vazhdon tutje Ergysi i cili ka edhe një mesazh për tifozët shqiptarë që do të jenë ditën e enjte në Elbasan.

“Mesazhi im për tifozët është që të vijnë në stadium dhe të na përkrahin drejt realizimit të ëndrrës tonë të madhe. Kjo është një ndeshje futbolli dhe si të tillë e presim të gjithë”.

22-vjeçari tregon edhe shanset që ka Shqipëria për një kualifikim të mundshëm për në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’, ku thotë se nuk duhet të shikohen ndeshjet e rivalëve vetëm duhen dy fitore.

“Kualifikimin për në evropian e kemi ne në dorë. Nuk duhet të shikojmë se çfarë po bënë Danimarka, ne duhet t’i fitojmë dy ndeshje dhe ëndrra e madhe bëhet realitet”, përfundoi Kaçe.

Mesfushori i talentuar, deri më tani ka zhvilluar 12 ndeshje me fanellën e Kombëtares shqiptare, ndërsa ka shënuar edhe dy super gola ndaj Francës muaj më parë dhe ndaj Armenisë në vitin 2013. 

E ardhmja e Kombëtares shqiptare, Ergys Kace dhe Herolind Shala në grumbullim me Shqipërinë.