“Pallati i Rinisë” kërkon parà për mediat që ndjekin ndeshjet

  • 06 October 2015 - 19:28
“Pallati i Rinisë” kërkon parà për mediat që ndjekin ndeshjet
Të gjitha mediat, që dëshirojnë të ndjekin aktivitete sportive në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, por edhe aktivitete të tjera politike e kulturore, tashmë duhet të paguajnë qindra euro për t’u futur brenda sallës së sporteve.

Televizionet, që dëshirojnë të transmetojnë ndonjë ndeshje sportive, janë të detyruara të paguajnë nga 500 euro në orë; ndërsa mediat, që duan vetëm ta xhirojnë ndeshjen, duhet të paguajnë 300 euro për çdo orë.

Kështu ka vendosur stafi menaxherial i Pallatit të Rinisë përmes një rregulloreje, që e ka nxjerrë në muajin maj të këtij viti, por që ka vendosur ta zbatojë nga data 6 tetor.

Pavarësisht se televizionet i blejnë të drejtat e transmetimit nga klubet, me këtë rregullore të Pallatit të Rinisë, ato duhet të paguajnë ekstra për futjen e tyre në këtë ndërtesë.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësues të medieve, por edhe nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

“Sot ky vendim na ka zënë të papërgatitur. Po bëheshim gati të transmetonim ndeshjen Sigal Prishtina-Trepça në basketboll, kur na u njoftua nga pallati se duhej të paguanim ekstra një shifër prej 500 eurosh në orë plus TVSH, që i bie rreth 1200 euro për të transmetuar një ndeshje. Kjo është një shifër shumë e lartë. Madje, kaq nuk kushton as e drejta e një ndeshjeje në ‘Champions League’ për ta blerë. Për të mos shtuar faktin që duket diçka absurde. Një televizion blen të drejtat e transmetimit nga një klub dhe nuk ka detyrim të paguajë edhe sallën, edhe palestrën”, tha Jonadër Bejo, drejtor i “Digitalb”-it, dega Kosovë.

“Një vendim i tillë i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, nuk i shkon për shtat askujt, e më së paku kësaj ndërtese, kur dihet se me çfarë problemesh merren ata. Ky vendim, më së shumti i dëmton mediat. Nuk ka vend në botë, që mediumi të paguajë një kosto për të shkuar të përcjellë një ngjarje sportive. Mediumet, përveç aspektit që përcjellin ngjarjen, kanë edhe anën e shenjtë, informimin”, tha Arlind Grantolli, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Sportit.

Top Channel ka kontaktuar me administratën e Pallatit të Rinisë, të cilët kanë shpjeguar se ky vendim është marrë për shkak të bllokimit të llogarive bankare të këtij institucioni, pas një vendimi gjyqësor për shpërblimin e pronarëve të depove të djegura nga një zjarr, vite më parë.

Në administratën e këtij pallatit kanë treguar se, janë të detyruar të gjejnë forma të tjera për të siguruar të ardhura e për të mbuluar shpenzimet e mëdha dhe pagat e punonjësve, ndërsa për këtë rregullore, ata thanë se e kanë njoftuar edhe kryeministrin e vendit, por edhe Ministrinë e Kulturës.