Ministri Tahiri: 2300 policë për mbarëvajtjen e ndeshjes

  • 07 October 2015 - 16:30
Ministri Tahiri: 2300 policë për mbarëvajtjen e ndeshjes

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u prezantua përpara mediave me një deklaratë ku sqaroi detajet organizimit për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Serbi dhe kërkoi bashkëpunim nga të gjithë qytetarët për të evituar episodet e pakëndshme, përpara, gjatë dhe pas ndeshjes. Tahiri theksoi se policia ka marrë masa në cdo pikë kufitare për monitorimin e të gjithë shtetasve dhe veçanërisht për ata që do të hyjnë në vend për ndeshjen. Numri 1 i Ministrisë së Brendshme shtoi gjithashtu se lista e tifozëve që do të jenë të pranishëm në stadium është në dispozicion të policisë, ndërsa në vend nuk do të lejohet të hyjnë personat me precedentë penalë.

“Strukturat e policisë do të monitorojnë cdo situatë. Forca civile do të ketë në cdo ambjent ku do të ketë tifozë por edhe në stadium. E gjithë struktura e forcave të ndërhyrjes së shpejtë është angazhuar në gadishmëri të plotë. Janë marrë masa maksimale për garantimin e sigurisë edhe për ekipin mik. Një pjesë e forcave RENEA dhe policia e shtetit janë të angazhuar për t’ë garantuar sigurinë e tyre. MBi 2300 forca policie kryesisht në Tiranë dhe Elbasan janë vënë në dispozicion me mjetet dhe infrastrukturën që disponon policia”.

Për ministrin e Brendshëm, sfida më e madhe është angazhimi i të gjithë për të dhënë një shembull të vlerave dhe qytetarisë që kanë qënë dhe do të jenë themelet e shoqërisë tonë. Ai nënvizoi gjithashtu se ndeshja më e rendësishme është ajo që zhvillohet jashtë fushës ku të gjithë kanë një rol dhe një detyrë për të luajtur.

“Ka një rol në angazhimin tonë që kjo të jetë një ndeshje futbolli. FSHF, trajneri dhe Kombëtarja jonë janë impenjuar që të fitojë në fushe, jashtë saj duhet të jetë festë qytetarie. I bëj thirrje çdo qytetati të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit për cdo gjë që mund të kërcënojë mbarëvajtjen e ndeshjes dhe vlerat tona që jemi angazhuar të mbrojmë. Kemi mundësië të tregojmë veten duke mbështetur kombëtaren dhe duke respektuar skuadrën mike”.

Deklarata e Ministrit vjen pas publikimit të masave që do të marrë Policia e Shtetit për këtë ndeshje ku veçohet bllokimi i aksit që lidh Tiranën me Elbasanin që prej orës 12:00 të së Enjtes. Sipas komunikatës, do të ndalohet qarkullimi në segmentin rrugor nga rruga “Dervish Hima”, rruga e “Elbasanit” dhe tuneli i Elbasanit deri në përfundim të aktivitetit sportiv. Edhe në qytetin e Elbasanit të gjitha rrugët që të çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara, ndërsa një pjesë e madhe e lokaleve do të mbyllen për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes.