Klopp pranë Liverpoolit, do të vizitojë klubin

  • 07 October 2015 - 16:52
Klopp pranë Liverpoolit, do të vizitojë klubin

Liverpool dhe Jurgen Klopp janë përherë e më pranë. Pas shkarkimit të Brendan Rodgers, drejtuesit kanë kontaktuar ish trajnerin e Borussias së Dortmundit për të nisur një erë të re në stolin e kuq. Sipas mediave britanike, gjermani do të vizitojë Liverpoolin gjatë kësaj jave ku do të takohet me zyrtarë të lartë të klubit. Vizita do të jetë informale edhe pse drejtuesit e Liverpoolit shpresojnë që ta bindin për të nënshkruar sa më shpejt pasi koha nuk premton dhe ekipit i nevojitet një trajner për të vazhduar rrugën e gjatë të këtij sezoni. Sipas informacioneve, trajnerit Klopp do t’i ofrohet një kontratë 3-vjeçare nga grupi “Fenway” që punësoi edhe paraardhësit e tij, Kenny Dalglish e Brendan Rodgers.

Nëse marrëveshja arrihet, atëherë Klopp do të transferojë në “Anfield” edhe ndihmësit e tij, Zelkjo Buvac e Peter Krawietz. Një emër i njohur që ka shprehur ambicien për të punuar me Klopp është edhe ish sulmuesi i “The Reds”, Robbie Fowler. Emri i Klopp është lakuar në klubin anglez edhe gjatë merkatos së verës por drejtuesit vendosën t’i besojnë Brendan Rodgers, i cili bëri një start të dobët që kulmoi me barazimin 1-1 në derbin e qytetit. Objektivi kryesor i presidencës është rikthimi i Liverpoolit në nivelet më të larta të Premier League dhe kupave europiane.