Mesazhi i Majkos për tifozët Kuq e Zi

  • 07 October 2015 - 18:40
Mesazhi i Majkos për tifozët Kuq e Zi

Ish-kryeministri i Shqipërisë, tash deputet i PS-së, Pandeli Majko, u ka bërë thirrje tifozëve shqiptarë të sillen me dinjitet në stadium dhe të mos bëjnë atë që serbët presin.

Ai ka thënë se futbollistët e përfaqësueses serbe, duhet të pritën nesër si miq, ashtu siç e do tradita shqiptare.

“Nesër është një ndeshje futbolli me emocione. Me mendje dhe shpirt pres fitoren e skuadrës së zemrës se çdo shqiptari.

Futbolli nuk është histori, por ai mund ta shkruaj atë. Pasioni për kombëtaren tonë është një gjë, dhe respekti për mikun është diçka tjetër. Duam apo s’duam, skuadra serbe e gëzon nesër statusin e mikut në shtëpinë tonë.

Kjo është e vërteta që serbët nuk e respektuan deri në shfaqje barbarie karshi djemve të kombëtares shqiptare në ndeshjen e Beogradit. Nëse dikush dëshiron të përsërisë sjelljen serbe si “hakmarrje”, turpëron jo vetëm futbollin, por edhe Shqipërinë.

Miq!Të gjithë atyre që do kenë fatin të jenë në stadium…Shpërtheni dhe brohorisni, përkrahni kombëtaren dhe mos bëni kurrsesi atë që serbët presin, që të bëjmë siç bënë ata.

Tregoni diferencën tonë si komb, sepse kjo është e vërteta. Lërjani të tjerat djemve në fushë. Jepini dinjitet djemve të kombëtares që veç na kanë nderuar. Kemi KOMBETAREN më të mire dhe më përfaqësuese në historinë e shqiptarëve. Forca Berisha! (portieri kombëtares)…, përfundon reagimi i tij.