Ballisti para gjykatës: Do doja të isha para një gjykate serbe të mbroja krenarinë shqiptare

  • 09 October 2015 - 14:20
Ballisti para gjykatës: Do doja të isha para një gjykate serbe të mbroja krenarinë shqiptare

Ismail Morina, i njohur si Ballisti Morina (personi që futi dronin në stadiumin e Beogradit rreth një vit më parë), do të qëndrojë në burg, ndërkohë që vijojnë hetimet. Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë ‘arrest me burg” në ngarkim të tij.

Më herët, vetë Morina kërkoi mirëkuptim nga gjyqtarët, që pritet të vendosin masën e sigurisë ndaj tij. Para trupit gjykues, nderkohë që prokuroria kërkoi “Arrest me burg” Morina theksoi se nuk kërkon mëshirë. 

“Do doja të gjendesha para ndonjë gjyqtari serb e të mbroja interesin e vendit tim por tani jam para gjyqtarit shqiptar dhe duhet të mbroj veten. Unë nuk kërkoj mëshirë, dua mirëkuptim nga ju, nëse do kem vendim pozitiv do ta nderoj atë deri në fund. Unë kam një familje që nuk e shoh prej dy vitesh, kam dy fëmijë për të rritur” ka thënë ai.

Ndërkohë që avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të butë, duke kërkuar trajtimin si rast i veçante. Ai ka sqaruar se Morina nuk përbënte rrezikshmëri dhe se armën e mbante prej frikës pas ndeshjes në Beograd.

Morina ka qëndruar dhomat e izolimit në Policinë e Tiranës, që nga nata e arrestimit. Ndaj tij rëndon akuza e ‘mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Për këtë akuzë ai rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.

Dy ditë më parë Ballist Morina u arrestua në Tiranë pasi u kap me një pistoletë Zastava në brez me 6 fishekë. Ndërsa në makinë atij u gjet edhe një armë tjetër, po pa leje. “Gjatë kontrollit të makinës se tij ju gjet një pistoletë tjetër TT me 30 fishekë. Më datën 07­. 10. ­2015 efektivët e Komisariatit nr.1, ndaluan katër shtetas për armëmbajtje, filloi procedimi me katër autorë të arrestuar në flagrancë për veprat penale të: “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” nene i 278 i K.Penal në ngarkim të shtetasit Ismail Morinaj, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë”,­ ka thënë më parë Policia e Tiranës.