Shqipëria djeg shansin e së tretës më të mirë, ja kundërshtarët në ”play-off”

  • 09 October 2015 - 17:32
Shqipëria djeg shansin e së tretës më të mirë, ja kundërshtarët në ”play-off”

Shqipëria e ka vetë në dorë kualifikimin për në Europian në ndeshjen e fundit me Armeninë”, kështu u shpreh kapiteni i Serbisë, Branislav Ivanoviç, pas ndeshjes.

Me humbjen e djeshme kuqezinjtë kanë djegur edhe mundësinë për të siguruar një biletë në “Francë 2016″, si e treta më e mirë në grupe. Pas përfundimit të ndeshjeve të mbrëmshme, Shqipëria nuk ka asnjë mundësi matematikore që të jetë e treta më e mirë në grupe.

Për momentin, në këto pozita është Hungaria me 15 pikë, që kërcënohet nga Ukraina me 13 pikë dhe Irlanda me 12 pikë, që kanë edhe nga një ndeshje për të luajtur.

Në renditjen e të tretave më të mira Shqipëria pozicionohet e pesta me 11 pikë, në shtatë ndeshje. Kuqezinjtë kanë shpërdoruar shumë shanse kualifikimi, pasi në dy ndeshjet e fundit, ndaj Portugalisë dhe Serbisë, na mjaftonte edhe një pikë, por jemi mundur në të dy përballjet në fushën tonë në minutat shtesë.

Portugalia u bëri një “dhuratë” të madhe kuqezinjve mbrëmë, duke mundur Danimarkën, që është rivali direkt për vendin e dytë në Grupin I.

Por pas mësimit të lajmit se danezët janë ndëshkuar në Bragë, të besuarit e trajnerit De Bazi, në vend që të ruanin barazimin, ndëshkohen me dy gola në minuta shtesë. Në rast barazimi me Serbinë, Shqipërisë i mjaftonte edhe barazimi në sfidën e fundit për të siguruar kualifikimin direkt.

Shpresohet që Armenia të jetë e treta e vërteta për Shqipërinë, që me një trepikësh në Jerevan shqiponjat kuqezi fluturojnë direkt për në “Francë 2016″,  shkruan “Panorama Sport”.

Në rast se dështojnë edhe në këtë takim, shpresat e kualifikimit mbetet “play off”-i, i cili rezervon kundërshtarë të vështirë. Nëse kuqezinjtë do të përsërisin startin e eliminatoreve në Armeni, ëndrra mund të bëhet realitet.