Cikalleshi premton gol ndaj Armenisë

  • 09 October 2015 - 18:24
Cikalleshi premton gol ndaj Armenisë

I aktivizuar në pjesën e dytë të takimit, sulmuesi Sokol Cikalleshi ka treguar grintë në fushën e lojës, madje në një moment ka rrezikuar seriozisht portën e serbëve me një goditje të fortë nga brenda zonës, e cila është grushtuar nga portieri. Për “Supersport”, pas takimit lojtari i ka qëndruar bindjes së tij se do të shënojë një gol që do ta dërgojë Shqipërinë në Europian.

“Vazhdoj t’i qëndroj mendimit, duke shpresuar që do ta çoj unë Shqipërinë në Europian, pasi kemi ende shumë shanse. Më vjen shumë keq që kemi humbur një ndeshje të tillë dhe shumë shqiptarë janë zhgënjyer për një humbje të tillë. Por, më vjen edhe shumë keq që ajo goditje e imja nuk shkoi në rrjetë. Tashmë gjithçka mbaroi dhe në vazhdim duhet të arrijmë kualifikimin në Armeni. Në takimin e sotëm ndaj Serbisë dhamë maksimumin tonë, por pësuam dy gola në fund dhe duhet t’i studiojmë rastet që kemi pësuar për të nxjerrë gabimet”, tha sulmuesi, i cili foli edhe për takimin ndaj armenëve.

“Ne shqiptarët nuk i kemi arritur gjërat me vështirësi dhe jemi të bashkuar për të arritur fitoren, për t’i bërë të gjithë shqiptarët krenarë.

Nuk mendoj se ekipi duhet të ndihet nën presion kur ka pasur rezultate të mira, me përjashtim të dy humbjeve të fundit. Personalisht nuk jam nën presion, por besoj se Zoti e ka ruajtur diçka për mua në momentin e fundit, që Shqipëria të shkojë në Europian”, u shpreh futbollisti.

Stoli – Për Cikalleshin, fakti që është aktivizuar nga stoli në ndeshjen e djeshme nuk do të thotë asgjë. “Arsyen për një gjë të tillë e di trajneri dhe duhet të respektojmë zgjedhjet e tij. Nuk mund të flas më shumë në lidhje me këtë çështje, por në momentin kur unë futem në fushë mundohem të jap maksimumin dhe ta ndihmoj ekipin për të gjetur rrjetën. Gjithsesi, shqiptarët sërish duhet të jenë krenarë për Kombëtaren e tyre dhe ne e duam mbështetjen e tyre më shumë se asnjëherë më parë në këto momente”, ka mbyllur lojtari.