Ivanovic: Kjo nuk ishte Shqipëria e vërtetë

  • 09 October 2015 - 19:26
Ivanovic: Kjo nuk ishte Shqipëria e vërtetë

Kapiteni i Kombëtares serbe, Branislav Ivanovic, thotë se mbrëmë në fushë, në “Elbasan Arena” nuk ishte Shqipëria e vërtetë. Por ai mendon se kombëtarja jonë do të kualifikohet.

Mbrojtësi i Chelseat, lavdëroi edhe organizmin e ndeshjes. “Nga ajo që pamë kishte një organizim të mirë. Kjo ishte një ndeshje speciale për ne dhe jemi shumë të lumtur për rezultatin. Po përpiqemi të ndryshojmë situatën tonë”.

Për Ivanovicin të dyja skuadrat e kishin shumë të vështirë ta përgatisnin këtë sfidë.
“Ishte një ndeshje e vështirë për t’u përgatitur nga të dyja skuadrat sepse kishim shumë për të humbur të dyja palët, por më e rëndësishmja ishte që ne arritëm të fitonim”.

Në fund ai bëri një koment edhe për ecurinë e Shqipërisë dhe shpresat kuqezi për kualifikimin në Euro 2016.

“Situata juaj është shumë e qartë. Ju nevojitet një fitore në Armeni edhe pse nuk treguat më të mirën ndaj nesh sepse ishit në presion të madh. Në këtë fushatë kualifikuese Shqipëria ka luajtur më mirë në ato minuta në Beograd, po ashtu në Danimarkë e Portugali dhe kjo që u pa sot ndaj Serbisë nuk është Shqipëria e vërtetë”, ka thënë Ivanovic pas ndeshjes për Supersport.