NBA, yjet të rikuperuar nga dëmtimet

  • 10 October 2015 - 15:35
NBA, yjet të rikuperuar nga dëmtimet

Në kërkim të formës më të mirë. Ndeshjet parasezonale nuk po u shërbejnë vetëm skuadrave të Nba për tu përgatitur sa më mirë për fillimin e sezonit të ri, por edhe disa prej yjeve të koshit për të gjetur formën ideale pas dëmtimeve që i kanë mbajtur jashtë parketit për një kohë të gjatë. Nëse Kevin Durant po jep sinjale inkurajuese për stafin teknik dhe tifozët e Oklahoma City Thunder, Carmelo Anthony është shumë pranë formës së tij më të mirë. 21-pikë 4 rebound dhe 4 asist koleksionoi në total Melo në fitoren me shifrat 115-104 të New York Knicks ndaj Washington Wizards. Operacioni i kryer në gjurin e djathtë, Shkurtin e kaluar mesa duket se është hedhur pas krahëve nga Anthony. Jo vetëm Carmelo pasi një tjetër Anthony shkëlqeu në humbjen 103-93 të New Orleans Pelicans ndaj Atlanta Hawks. Ishte pikërisht Anthony Davis i cili realizoi 20 pikë 5 rebound dhe 3 bllokime në sfidën ndaj Hawks por New Orleans shpërdoroi një avantazh prej 15 pikësh në pjesën e parë duke humbur në fund. Për të parë Kevin Durant-in më të mirë duhet të presim edhe pak por që gjithsesi paraqitja e yllit të Oklahomës në sfidën e Chesapeake Energy Arena ndaj turqëve të Fenerbahces e cila përfundoi me fitoren e thellë 111-81 të City Thunder, ishte më shumë sesa pozitive. Në 22 minuta lojë, Durant realizoi 13 pikë, por në radhët e Oklahomas janë të sigurtë se ylli i tyre pak nga pak po arrin formën më të mirë madje garantojnë se në stërvitje Kevin ka filluar të dhurojë spektakël.