Unioni i Xhudos, Kelmendi dhe Krasniqi në finalen e Lisbonës

  • 10 October 2015 - 18:18
Unioni i Xhudos, Kelmendi dhe Krasniqi në finalen e Lisbonës

Finale e gjitha kosovare në kampionatin Europian të Unionit të Xhudos që po zhvillohet këto ditë në Lisbonë të Portugalisë. Kampionia e botës, Majlinda Kelmendi do të ndeshet në përballjen finale me bashkëkombasen Distria Krasniqi për titullin kampion të këtij evenimenti në kategorinë deri në 52 kg. Kjo është hera e parë në historinë e sportit të xhudos që dy garuese nga i njëjti vend do të ndeshen mes tyre në sfidën e fundit ku do të caktohet edhe fati i kampiones.

Nga ana tjetër, ky është një sinjal mjaft pozitiv për Kelmendin që rikthehet në një aktivitet zyrtar pas shumë muajsh për shkak të një dëmtimi. Kualifikimi i xhudistes nga Peja në finalen e Lisbonës konfirmon shërimin e plotë të saj dhe në këtë mënyrë, rruga për në Rio 2016 mbetet e hapur. Kelmendi është favoritja kryesore në baterinë e saj për të fituar arin në Olimpiadë pasi ajo është kampionia absolute deri në 52 kg. Në finale është kualifikuar edhe xhudistja tjetër kosovare, Nora Gjakova, e cila në finale do të përballet me zviceranen Kocher.