Rraklli: Ndaj Francës për të marë më shumë eksperiencë

  • 24 November 2015 - 23:05
Rraklli: Ndaj Francës për të marë më shumë eksperiencë

Shqipëria e futbollit do të ulë siparin për vitin 2015 me një përballje ndaj Francës. Do të jetë skuadra e femrave e drejtuar nga Altin Rraklli që të premten e 27 Nëntorit do të luajë sfidën e 3 eleminatore të EURO 2017 e vlefshme për Grupin 3. Përballë do të jetë skuadra e cila në botërorin e këtij viti në Kanada u eleminua nga Gjermania, duke u klasifikuar në vendin e 5 të këtij kompeticioni. Trajneri Altin Rraklli i njeh vështirësitë e këtij dueli, duke evidentuar se për momentin objektivi është një tjetër.

“Po përgatitemi për ndeshjen e vështirë me Francën që është një kundërshtar i nivelit të lartë. Ne duhet të marim sa më shumë eksperiencë në këto sfida dhe të përfaqësojmë denjësitsht flamurin. Franca ka futbolliste të nivelit të lartë por ne kemi objektiva të tjera. Si institucion, FSHF synon që të masimizojë futbollin e femrave. Do të hyjmë në lojë për të marë më të mirën”.

Një nga lojtaret më me eksperiencë në kombëtaren e femrave është kapitenia Aurora Seranaj. E transferuar në Itali tek Katania, 33-vjecarja shpreson që skuadra të shijojë ndeshje të tilla, ku përballë është një skuadër e cila ka në gjirin e vetë futbolliste që kanë luajtur në finalet e Champions League për femra, me Lion apo PSG.

“Në Shqipëri është thyer tabuja për futbollin e femrave. Ne kemi si objektiv të luajmë mirë dhe të përfitojmë nga skaudrat që kemi përballë. Është një privilegj të luajmë ndaj këtyre ekipeve që dikur i shihnim në ekran”.

Shqipëri – Francë do të luhet të Premten e 27 Nëntorit në orën 21:00 teksa kjo është sfida e 3 në këtë fushatë eleminatore të Grupit 3 për ekipin tonë përfaqësuses të femrave. Në dy ndeshjet e para skaudra e drejtuar nga Altin Rraklli ka regjistruar 2 humbje, në shtëpi ndaj Greqisë me rezultatin 1-4 dhe në transfertë ndaj Rumanisë 3-0.