Legjenda gjermane: Lewandowski dhe Robben nuk e kalojnë mirë

  • 25 November 2015 - 16:23
Legjenda gjermane: Lewandowski dhe Robben nuk e kalojnë mirë

Ish-ylli i Bayern Munichut, Lothar Matthaus, beson se ekziston një problem i madh mes Robert Lewandowskit dhe Arjen Robbenit.

Mediat gjermane kanë raportuar më herët se sulmuesi polak u tërbua me holandezin pas fitores 4-0 që Bayerni arriti ndaj Sttutgartit më 7 nëntor, me Robbenin që kërkoi të shënonte vetë, edhe pse në disa raste Lewa ishte në pozicion më të mirë për shënim.

Robben ka mohuar zërat për mosmarrëveshje mes tyre, ndërsa trajneri Pep Guardiola i doli në mbrojtje holandezit, duke deklaruar se nuk dëshiron që Robben të ndryshojë mënyrë loje.

Megjithatë, Matthaus është i bindur se situata mbetet e acaruar. “Shoh shumë tension në sulm. Lewandowski vazhdon të shprehë pakënaqësinë e tij në lidhje me sjelljen egoiste të Robbenit dhe kjo po dëmton vetëbesimin e holandezit”.

“Mjafton të shohësh një ndeshje të Bayernit dhe e kupton që diçka nuk shkon mes tyre. Ndoshta do ishte mirë të dilnin për ndonjë birrë dhe të paguante Robbeni”, shkruan Matthaus për SportBild.