Shqiptarët në Ligën e Evropës (Foto)

  • 25 November 2015 - 19:46
Shqiptarët në Ligën e Evropës (Foto)

Ky sezon i Ligës së Evropës është me shqiptarë me shumë se kurrë më parë.

Skënderbeu arriti të kualifikohet në fazën e grupeve, ku deri më tani ka marrë tre pikë në fitoren me Sportingun e Lisbonës dhe ka ende shpresa për vijim e garës. Por Shqipëria nuk ndalet vetëm me këtë përfaqësim, pasi ka edhe të tjerë pjesëmarrës.

Më i suksesshmi është Elseid Hysaj. Napoli i tij është kualifikuar në fazën tjetër, pas katër fitoreve radhazi duke mbajtur kreun e Grupit D me pikë të plota dhe ndeshjet e fundit për këtë skuadër do të jenë një formalitet.

Në skuadrën tjetër italiane pjesëmarrëse në këtë turne është Etrit Berisha. Falë ndihmës së tij skuadra italiane udhëheq Grupin G me 10 pikë pas katër javëve. Me vetëm një barazim nesër ndaj Dnipros në stadiumin “Olimpiko” do të siguronte pjesëmarrjen në fazën tjetër.

Pranë fazës tjetër është Bazeli i shqiptarëve. Skuadra zvicerane ka në përbërje tre lojtarë që mund të luajnë në Evropë, pasi Naser Aliji nuk mundet, sepse nuk është i regjistruar në listën e UEFA-s. Taulant Xhaka është ai që e ka ndihmuar më shumë ekipin të jetë në vendin e parë në Grupin I. Shkëlzen Gashi dhe Albian Ajeti kanë më pak minuta aktivizim.

Ansi Agolli që luan me Qarabakun ka ende shpresa për të qenë në fazën tjetër, por duhet të japë rezultat me Totenhamin kryesues të Grupit J. Rival është Anderleti i Besnik Hasit që ndodhet në fund të renditjes, por matematikisht shpreson ende të vijojë në aventurën në Ligës së Evropës.

Herolind Shala është pjesë e Slovan Liberecit që renditet në vendin e dytë në Grupin F dhe mundësitët për të kaluar turin janë të mëdha.

Matematikisht është në garë edhe Paoku i Ergys Kaçes dhe Ateras Tripolis i Vasil Shkurtajt.