NBA, fitore për San Antonio, Oklahoma e Hornets

  • 26 November 2015 - 10:48
NBA, fitore për San Antonio, Oklahoma e Hornets

Vijon momenti pozitiv për San Antonio Spurs në NBA. Skuadra e trajnerit Gregg Popovich regjistroi fitoren e 9-t në 10 ndeshjet e fundit pasi triumfoi përballë Dallas Mavericks në derbin teksan me shifrat 88-83. Kawhi Leonard me 26 pikë ishte më i miri mbi parket për San Antonion. Një ndihmesë të madhe Spurs-ave në këtë sfidë u dha edhe dyshja LaMarcus Aldridge-Toni Parker. Kjo ishte fitorja e 12-të për San Antonion në këtë sezon me skuadrën teksane që në klasifikimin e konferencës së Perëndimit pozicionohet në vendin e dytë pas kampionëve në fuqi të Golden State.

Falë dy yjeve të saj Kevin Durant dhe Rusell Westbrook, Oklahoma City Thunder regjistroi suksesin e 3-t radhazi pasi mposhti në shtëpi me rezultatin 110-99 Brooklyn Nets. 30 pikë 5 asiste dhe 6 rebound koleksionoi në total Durant ndërsa Westbrook shtoi 27 pikë 13 asiste dhe 6 rebound në fitoren e 10-të sezonale të Oklahomës.

Nuk ka dritë në fund të tunelit për Houston Rockets që vazhdon të humbasë. As ndryshimi në stol nuk po jep efekt te formacioni teksan që u mund brenda në Toyota Center edhe nga Memphis Grizzlies. 93-102 ishte rezultati i sfidës në favor të miqëve, ndërkohë që Houston-it për të evituar disfatën e radhës nuk i mjaftuan 40 pikët e realizuara nga James Harden.

Vazhdon forma e mirë e Charlotte Hornets që regjistroi fitoren 4-t rresht pasi kaloi me shifrat 101-87 Washington Wizards.