Moto GP, Doohan: Fitoi piloti më i mirë

  • 26 November 2015 - 11:11
Moto GP, Doohan: Fitoi piloti më i mirë

Ai është një nga legjendat e Moto GP dhe fjala e tij mund të shërbejë për të ulur disi polemikat që vazhdojnë të trazojnë sportin e motorëve. Mick Doohan që gjatë karrierës së tij ka fituar 5 tituj botërorë, komenton replikat në distancë mes Valentino Rossit, Jorge Lorenzos dhe Marc Marquez.

“Ndoshta ishte mundësia e fundit që Rossi të fitonte një titull por nuk e kisha parë asnjëherë të reagonte në këtë mënyrë. Gjithsesi, besoj se botërorin e fitoi piloti më i mirë dhe pjesa tjetër e debateve janë të pavlera”.

Në vijim, Doohan analizon në detaje dy episode që shkaktuan një valë kaq të gjatë polemikash, kontaktin mes Rossit dhe Marquez në Sepang dhe penalizimin e “Doktorit”.

“Në vendin e Marquez do ta kisha marrë më gjerë atë kthesë. Gjesti i tij ishte disi i çuditshëm. Nuk mund të them nëse Rossi e shtyu por nëse e bëri e ka pasur një arsye. Në Valencia Marquez po planifikonte parakalimin ndaj Lorenzos por ishte Pedrosa ai që i prishi planet me afrimin e tij. Në fund të fundit, ishte konkurrenca që fitoi sepse ky ishte një sezon fantastik dhe shumë ndryshe nga garat e Formula 1. Fansat e Rossit do të vazhdojnë të ndjekin garat”.