Sonte ndeshja Shqipëri-Francë, masa të rrepta sigurie

  • 27 November 2015 - 10:54
Sonte ndeshja Shqipëri-Francë, masa të rrepta sigurie

Sonte në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 21:00, luhet ndeshja e futbollit për femra Shqipëri-Francë.

Për të siguruar mbarëvajtjen e këtij takimi mes dy ekipeve kombëtare, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka marrë një sërë masash. Për shkak të zhvillimeve të fundit në Paris dhe vende të tjera, masat e sigurisë janë përforcuar.

Kështu, për mbarëvajtjen e këtij takimi, nga ora 18.00 deri në orën 24.00 të së premtes do të bllokohen të gjitha segmentet rrugore që të çojnë te stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”.

Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si dhe do të mbyllen ambientet tregtare përreth stadiumit.

Do të bllokohen rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Germenji”, rruga “Papa Gjon Pali” deri te kryqëzimi i TVSH-së dhe sheshi “Nënë Tereza”.

Shërbimet e policisë do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në këto rrugë para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit.