Peshëngritje, dy rekorde botërore të rusit Lovchev

  • 29 November 2015 - 13:17
Peshëngritje, dy rekorde botërore të rusit Lovchev

Kampionati Botëror i Peshëngritjes në Houston të SHBA-ve uli siparin me natën finale, që dhuroi emocione të shumta por edhe 2 rekorde botërorë  të rusit Aleksey Lovchev, që ishte protagonisti absolut i mbrëmjes.

Në kategorinë +105 kg, 26-vjeçari ngriti 211 kg në stilin e shkëputjes, i befasoi të gjithë kur në shtytje theu rekordin botëror me 264 kg, një kg më shumë se pesha që ngriti legjendari iranian Hossein Rezazadeh në Olimpiadën Athinë 2004. Me 475 kg në total, peshëngritësi rus theu rekordin botëror edhe në dygarësh.

Kampioni i Botës për të rinjtë në vitin 2013, gjeorgjiani Lasha Talakhadze, fitoi medaljet e tij të para për të rritur. Ai u klasifikua i dyti si në shkëputje dhe në dygarësh me 207 dhe 454 kg. Podiumi në këtë kategori u plotësua nga estonezi Mart Seim, që ngriti në total 438 kg.

Përsa i përket kategorisë +75 kg për femra, rusja Tatiana Kashirina imitoi bashkëkombasin e saj Lovchev, duke i fituar të trija medaljet e arit, por pa iu afruar rekordit të saj të arritur vitin e kaluar në Astana të Kazakistanit. 24-vjeçarja ngriti 148 kg në shkëputje dhe 193 në shtyje. Tri medlajet e argjendit shkuan për kinezen Meng Suping me 145 kg në shkëputje dhe 180 kg në shtytje. Në podium u ngjit edhe koreanoverjorja Kim Kuk-Hyang me 298 kg në total.