Sekreti i Milot Rashicës

  • 30 November 2015 - 12:21
Sekreti i Milot Rashicës

Të jesh talent është një gjë jo shumë e çuditshme nga anët tona. Kudo ku jetojnë shqiptarë ka djem të talentuar. Ka nga ata që kanë edhe fatin të takohen me njeriun e duhur.

Rashica është njohur me Altin Lalën, ish-kapitenin e kombëtares tonë dhe që nga ajo ditë ai është përkujdesur për karrierën e djalit nga Vushtria.

Momenti më i vështirë ishte kur pasi kishte kaluar provën me sukses tek Hanover, ku Lala, ish-kapiten është një legjendë, pësoi një dëmtim të rëndë në gju. Fati e desh që Miloti mos të kishte menaxher por një mik si Lala.

Luftëtari i mesfushës kuqezi për 79 ndeshje, u kujdes për operacionin dhe rikuperimin e gjatë disa mujor. Pastaj erdhi radha t’i gjente një skuadër të re dhe Vitese ishte shans shumë i mirë.

Miloti, që Zoti, veç klasit i ka dhënë edhe profesionalizmin e përkushtimin i fitoi menjëherë zemrën e drejtuesve, ku Lala e kish prezantuar si një talent shqiptar.

Lala tani shpesh udhëton drejt Arnheimit për të shoqëruar rritjen e talentit kuqezi, që tanimë, jo vetëm për të, por edhe për të tjerët ka një të ardhme të madhe.

Të lindësh talent është dhuratë e Zotit, të jesh i përkushtuar e profesionist është meritë e jotja, por të kesh menaxher një njeri të madh, është fat i rrallë në botën e egër të futbollit.