Tyson Fury, nga gjasat e vogla për jetë, në kampion të botës në boks

  • 30 November 2015 - 13:11
Tyson Fury, nga gjasat e vogla për jetë, në kampion të botës në boks

Tyson Fury ka mposhtur Vladimir Klitschkon me vendim unanim pas 12 raundeve të shtunën mbrëma, duke i dhënë fund dominimit të ukrainasit prej nëntë vite e gjysmë si kampion bote në peshën e rëndë në boks. Tyson Fury kështu ka përmbushur parashikimin që kishte dhënë babai i tij kur ai ishte lindur.

I lindur tre muaj para kohës dhe me peshë afro gjysmë kilogrami, Furyt nuk i ishte dhënë shumë gjasë për të mbijetuar pas lindjes së parakohshme. Mirëpo, John Fury u tha mjekëve se i biri i tij do të mbijetojë dhe do të bëhet kampion bote në peshën e rëndë në boks. Ai ia la Tyson emrin djalit të tij të dytë nga gjashtë sa i ka, sipas legjendës së peshës së rëndë, amerikanit Mike Tyson.

Njëzet e gjashtë vite më vonë, Tyson Fury tash 206 centimetra i gjatë, që është me origjinë irlandeze dhe rrjedh nga një familje që ka nxjerrë kampionë në boks pa dorëza si nga ana e babait ashtu edhe e nënës, i ka bërë nder emrit të tij.

“Është një gjë për të cilën kam punuar gjithë jetën time. Unë jam lindur për të qenë luftëtar. Pyesni të gjithë anëtarët e familjes sime – gjithmonë kemi qenë në dijeni se është e shkruar të bëhem kampion bote. Vëllai im, Shane, dhe unë bënim sparing në kuzhinë. Nuk kishim dorëza, kështu që mbështillnim duart me peshqirë”, ka thënë Fury.

Pas një përballjeje të fortë, ku Klitschko mori çarje në të dy anët e fytyrës pranë syrit, vlerësimi shkoi te juria.

Cesar Ramos dhe Raul Caiz Sr. vlerësuan luftën 115:112, ndërsa Ramon Cerdan vlerësoi luftën 116:111 në favor të britanikut të pamposhtur Tyson Fury që tash ka 25 fitore nga po aq meçe, prej tyre 18 me nokaut.

Fury me fitoren e shënuar ia ka marrë Klitschkos titujt e botës në versionet WBA, IBF, WBO dhe atë më pak të njohur IBO. Menjëherë pas përballjes ka nisur të përqendrohet vëmendja te një rimeç potencial.

“Ne kemi një klauzolë për rimeç në kontratë”, ka thënë promotori i Klitschkos, Bernd Boente.

“Unë jam luftëtar dhe do të pranoj çdo sfidë. Unë erdha në Gjermani dhe mora titujt e botës. Çfarëdo që ndodh në të ardhmen është bekim. Interesimi për meçin e ardhshëm do të jetë masiv”, ka thënë Fury.