Lazio në krizë, Pioli rrezikon shkarkimin

  • 01 December 2015 - 15:37
Lazio në krizë, Pioli rrezikon shkarkimin

5 humbje në 7 ndeshjet e fundit dhe vetëm 1 pikë e grumbulluar në 5 sfidat e fundit të Serisë A.

Nëse në Europa League gjërat po shkojnë mirë për Lazion në kampionat skuadra e Stefano Piolit është zhytur në një krizë të thellë, dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane trajneri 50-vjeçar rrezikon seriozisht shkarkimin. Akoma edhe më keq ka bërë Lazio në sfidat në transfertë në Serinë A gjatë këtij sezoni teksa ka pësuar 6 humbje në 7 takime. Bardhekaltërit të cilët ishin surpriza më e bukur e sezonit të kaluar, kanë humbur shumë nga ajo çfarë shfaqën një vit më parë dhe në këtë mënyrë misioni për t’u kualifikuar sërish në kompeticionet europiane nga java në javë po bëhet gjithnjë e më i vështirë për Lazion.

Duke parë ecurinë e kryeqytetasve ndeshja e kësaj të Premteje ndaj Juventusit në “Olimpico” do të jetë deçizive për të ardhmen e trajnerit Pioli. Me një tjetër humbje në sfidën ndaj bardhezinjëve me shumë mundësi presidenti Lotito do t’i tregojë derën ish trajnerit të Bolognas. Nëse diçka e tillë ndodh dhe Pioli shkarkohet nga detyra, sipas mediave spanjolle mund të jetë trajneri aktual i Kilit Jorge Sampaoli zëvendësuesi i tij në stolin e Lazios. Tekniku argjentinas, i cili është përfshirë nga FIFA në listën e tre finalistëve për trajnerin më të mirë të vitit, në verë u shpall kampion i Amerikës së Jugut me Kilin. Sampaoli për profilin që zotëron pëlqehet shumë nga drejtuesit e Lazios por për momentin 55-vjeçari ka një kontratë me La Rojan deri në përfundim të Kupës së Botës Rusi 2018, dhe për Lotiton e Taren nuk do të jetë e lehtë ta shkëpusin atë nga përfaqësuesja kiliane.