FFK e cilëson lartë sezonin vjeshtor

  • 01 December 2015 - 17:30
FFK e cilëson lartë sezonin vjeshtor

Sot  Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e Agim Ademit nënkryetar, ku debatoi për shumë çështje me rëndësi. KE analizoi rrjedhën e stinorit vjeshtor të kampionatit 2015/16 në të gjitha rangjet e garave dhe pas shumë diskutimeve konstatoi se kampionati ka qenë i suksesshëm dhe ka pasur një rrjedhë normale me dinamikën e paraparë në të gjithë segmentet. Ka pasur një organizim më të mirë të klubeve, disiplinë më të madhe të lojtarëve si dhe shtim në cilësinë e ndarjes së drejtësisë. Kjo ka rezultuar që për herë të parë nga paslufta të ketë një kampionat ku të gjitha ndeshjet janë regjistruar me rezultat të arritur në fushë pa asnjë rezultat zyrtarë.

Natyrisht KE thekson se pati disa raste lëshimi në organizim por ato më janë mënjanuar pas marrjes së vendimeve të organeve të FFK-së. Komitetin Ekzekutiv për vizitat e delegacionit të FFK-së në krye me Fadil Vokrrin kryetar, në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, Sllovenisë dhe së fundmi të Turqisë, e njohu sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, i cili theksoi se në të gjitha këto takime kemi hasur në mikpritje miqësore, ku është treguar mirëkuptim i madh për kërkesat e FFK-së për anëtarësim si dhe kanë premtuar të gjithë një mbështetje të madhe për futbollin e Kosovës, madje këto federata do të kërkojnë edhe nga miqtë e tyre që të përkrahin FFK-në.

Sekretari Salihu theksoi se do të vazhdohet edhe më tutje me lobimin nëpër federatat tjera mike deri para mbajtjes së Kongresit të UEFA-s. Ndërkohë, duke u nisur nga iniciativa e Lidhjeve rajonale të futbollit, për përkrahje të fuqishme të kryetarit Fadil Vokrri për rikandidimin e tij edhe në mandatin e ardhshëm, KE duke shfrytëzuar të drejtën e vet statutare, i ka dhënë mbështetje kësaj iniciative për të fuqizuar rikandidimin e kryetari Vokrri në zgjedhjet e ardhshme.

KE mori vendim që në përputhje me Statutin të caktojë mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, i cili do të mbahet më 15 janar 2016. KE zgjodhi Komisionin për shpalljen e laureatëve për vitin 2015, ndërsa ceremonia e shpalljes së më të mirëve do të mbahet në fillim të janarit 2016. Komisioni ka 5 anëtarë dhe përbëhet nga: Agim Ademi, kryetar, Vjollcë Krasniqi anëtare, Bakir Burri, anëtar, Xhelal Broja, anëtar dhe Iljaz Mjaku anëtar.