Rregulla dhe kuriozitete të “Euro 2016”

  • 06 February 2016 - 09:48
Rregulla dhe kuriozitete të “Euro 2016”

Gjërat që duhet t’i dimë për Kampionatin Evropian në Francë

8 milionë për atë që do të ngrejë trofeun më 10 korrik

Nga 10 qershori deri në 10 korrik e gjithë vëmendja e tifozëve të futbollit do të përqendrohet në Francë, ku do të zhvillohet Kampionati Evropian. Mes 24 kombëtareve pjesëmarrëse është edhe kombëtarja e Shqipërisë, një arritje historike kjo për kuqezinjtë.  Spanja është kampionia në fuqi e Evropës dhe tashmë të gjitha skuadrat e tjera do të kërkojnë ta largojnë nga froni. Janë disa rregulla e kuriozitete në lidhje me Euro “2016”, të cilat pasqyrohen edhe nga e përditshmja “Marca”,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

UEFA do të shpërndajë 80 medalje

Në radhë të parë, kombëtarja që do të mund ta fitojë këtë turne 3 herë radhazi apo 5 herë në total, do të nderohet në mënyrë të veçantë. Sipas rregullores së UEFA-s, kur plotësohet një prej këtyre kushteve, atëherë gjithçka do të nisë nga e para. Së dyti, UEFA do të shpërndajë 80 medalje, 40 të arta për kampionët dhe 40 të argjendta për finalistët. Një prej risive në këtë edicion të Evropianit ka të bëjë me mbylljen e fazës së grupeve. Përveç dy vendeve të para, kalojnë për në 1/8 e finaleve dhe 4 vendet e treta më të mira. Nëse 2 skuadra do të kenë të njëjtat pikë, të njëjtin golavarazh në ndeshjet direkte dhe nëse barazojnë në ndeshjen e fundit në grup, atëherë çështja e kualifikimit do të zgjidhet me 11-metërsha.

Një çështje më vete është edhe ajo e kartonëve të verdhë

Një tjetër rregull i ri i UEFA-s është ajo e miqësoreve në prag të “Euro 2016”. Skuadrat kanë të drejtë të përballen vetëm me një skuadër finaliste të Evropianit dhe kombëtarja e Shqipërisë do ta luajë më 26 mars me Austrinë.  Një çështje më vete është edhe ajo e kartonëve të verdhë. Lojtari që merr 2 të tilla në ndeshje të ndryshme dënohet me 1 ndeshje pezullim. Gjithçka anulohet në këtë pikë pas ndeshjeve çerekfinale, që do të thotë se skuadrat që do të arrijnë në gjysmëfinale do të jenë krejtësisht “të pastra”. Skuadrat pjesëmarrëse të “Euro 2016” do të duhet të dërgojnë në zyrat e UEFA-s listën përfundimtare të futbollistëve të grumbulluar për këtë aktivitet 10 ditë përpara sfidës së hapjes, pra më 1 qershor. UEFA nuk e ka mënjanuar as çështjen e shpërblimeve. Ajo do të hapë një llogari për secilën prej 24 skuadrave për këtë çështje. Në këtë Evropian, 8 milionë euro u jepen skuadrave për pjesëmarrjen, 1 milionë për çdo fitore dhe 500 mijë euro për barazimin. Më pas, skuadrat që kalojnë në 1/8 do të përfitojnë 1.5 milionë euro, 2.5 milionë për çerekfinalen, 4 për kualifikimin në gjysmëfinale, 5 milionë për ekipin finalist dhe 8 milionë për atë që do të ngrejë trofeun më 10 korrik. 

(Kosova Sot)