Yamaha kërkon të rinovojë me Lorenzo-n

  • 06 February 2016 - 09:56
Yamaha kërkon të rinovojë me Lorenzo-n

Yamaha nuk dëshiron të privohet nga Jorge Lorenzo. Kampioni i botës në MotoGP e mbyll kontratën me skuadrën japoneze në fund të këtij viti dhe kjo ka bërë që drejtuesit e kësaj të fundit të mendojnë për rinovimin me 28-vjeçarin sa më shpejt që të jetë e mundur. Shqetësimi është i madh në këtë pikë, pasi te Yamaha e shohin Lorenzo-n si të vetmin ngasës në gjendje që të rivalizojë dhe të fitojë ndaj Marc Marquez-it, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Për më tepër, situata kontraktuale e Lorenzo-s po ndiqet me vëmendje edhe nga Ducati, që mendon t'i bëjë një ofertë të parefuzueshme ngasësit nga Majorka, në rast se ky i fundit nuk firmos kontratën e re me Yamaha-n.

Megjithatë, Lorenzo nuk është i vetmi ngasës në MotoGP të cilit i skadon kontrata me skuadrën e tij në fund të vitit 2016. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe Marc Marquez e Dani Pedrosa te Honda, me këtë të fundit që kërkon të bëjë të njëjtën gjë si Yamaha.

(Kosova Sot)