Berisha shënon, por Melbourne Victory nuk fiton

  • 06 February 2016 - 12:58
Berisha shënon, por Melbourne Victory nuk fiton

Besart Berisha nuk ndalet së shënuari në kampionatin australian, por pavarësisht golave të sulmuesit shqiptar, Melbourne Victory vazhdon të mos fitojë.

Në sfidën e fundit ndaj kryesuesve të Western Sydney Wanderers 30-vjeçari nga Prishtina realizoi golin e avantazhit provizor në barazimin 1-1 që regjistroi Melbourne Victory. Në minutën e 16-të, Berisha përfitoi nga një harkim nga këndi i Barbarouses duke goditur saktë me kokë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së trajnerit Kevin Muscat. Goli i realizuar i dha qetësinë e nevojshme, formacionit vendas me Melbourne-in që gjatë minutave në vazhdim pati disa mundësi shumë të mira për të dyfishuar shifrat.

Megjithatë atëherë kur gjithçka dukej se do të mbyllej me fitoren e Victory në stadiumin “Ammi Park” pllakosi heshtja pasi një goditje nga distanca e Santalab në minutën e 89-të përfundoi në rrjetë. Gol me të vërtetë fantastik ai i realizuar nga futbollisti i Western Sydney Wanderers. Me këtë barazim, Melbourne Victory u ngjit në kuotën e 28 pikëve. Për Besart Berishën ky ishte goli i 14-të në këtë sezon të A-League me sulmuesin shqiptar që tashmë e sheh veten në krye të listës së golashënuesve së bashku me uruguaianin Fornaroli.

(Kosova Sot)