Majlinda Kelmendi, favorite për medalje të artë në Lojërat Olimpike

  • 07 February 2016 - 13:02
Majlinda Kelmendi, favorite për medalje të artë në Lojërat Olimpike

Sipas “Inside The Games”, triumfi i Parisit favorizon Majlinda Kelmendin për të artën në Lojërat Olimpike
Kur kanë mbetur më pak se gjashtë muaj për debutimin e Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio, Majlinda Kelmendi me plot të drejtë ëndërron që t’i sigurojë vendit të saj medaljen e parë të artë olimpike, në një ngjarje të tillë historike, thuhet në artikullin e “Inside The Games”.

“24 vjeçarja tashmë ka sinjalizuar se është pikërisht ajo që duhet të shikohet në kategorinë deri në 52 kilogram, me triumfin në vitet 2013 dhe 2014 për titullin e botës, ajo vazhdoi dominimin e saj në Grand Slamin në Paris, duke e vendosur veten si një nga favoritet për Rio”, shkruhet më tutje për Majlindën.

Asaj iu deshën më pak se një minutë për ta mposhtur kampionen e Lojërave Evropiane, Andreea Chitu, para një audience që përfshinte edhe presidentin e Shoqatave të Komitetit Olimpik Kombëtarë, Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah.

Kelmendi kundërsulmoi tentimin e parë të Chitus për yuko, duke e vendosur në dysheme kundërshtaren e saj, për të siguruar fitoren me një ippon për vetëm 39 sekondave.

Kjo ishte medalja e 12 e Kelmendit në një turne botëror të IJF-së, dhe medalja e katër në një Grand Slam.

Ajo është e pamposhtur në kryeqytetin francez, duke qenë një nga yjet kryesore të sezonit të IJF-së, që nga viti 2013, kur ishte mposhtur në finale nga japonezja Yuki Hashimoto.

Ndërsa edhe Judoinside ka shkruar se “përkundër lëndimit në vitin e kaluar, ajo është e destinuar për të thyer rekorde në Paris”. Ky ishte triumfi i tretë radhazi i Majlindës në kryeqytetin francez.

Në kategorinë e Majlinda Kelmendit garonin 30 xhudiste, prej të cilave paraqitjen më të mirë e pati xhudistja kosovare, duke treguar se është një favorite e madhe për Lojërat Olimpike-Rio 2016.

(Kosova Sot)