Chelsea insiston për Allegri-n

  • 07 February 2016 - 17:44
Chelsea insiston për Allegri-n

Chelsea nxiton dhe forcon presingun për trajnerin e ri. Roman Abramovich do ta ketë trajnerit para mesit të marsit dhe për momentin në balotazh janë dy italianë, Antonio Conte dhe Massimiliano Allegri. Trajneri i Juventus-it është në avantazh ndaj atij të Italisë me Conte-n që gjithsesi ka përpara edhe disa oferta të tjera prestigjioze. Moda e trajnerëve italianë vazhdon në Angli, por mbi të gjitha ngushtimi i rrethit të kandidaturave te Chelsea vjen edhe për lajmet që vijnë nga Madridi, më saktë nga Atletico. Diego Simeone që mendohet se ishte zgjedhja e parë e londinezëve, iu ka komunikuar drejtuesve të Chelsea-t se nuk ndihet fort i tërhequr nga pista angleze. Te Chelsea mbeten edhe hipotezat Drogba, një zgjedhje romantike, por jo fort e besueshme dhe ajo e ish trajnerit të Kilit, Jorge Sampaoli, por në plan të parë janë Allegri dhe Conte. Trajneri i Juventus-it deklaroi se nuk dëshiron të flasë për edicionin e ardhshëm pasi po punon për t’i dhënë një të ardhme skuadrës bardhezi, por nga Anglia për sa i përket trajnerit livornez dalin shifra që të marrin mendjen. Kontratë 4-vjeçare prej 10 milionë eurosh në edicion. Mediet italiane në fakt janë më të kujdesshme, për to propozimi i Chelsea-t është një kontratë 3-vjeçare me pagë vjetore deri në shtatë milionë euro. Me siguri që te Juventus-i nuk do të kapen në befasi në rast se Allegri zgjedh lamtumirën. Nuk përjashtohet rikthimi në bazë i Conte-s, liderit të rilindjes “post Calciopoli” të Juve-s, pastaj është tërheqëse, por më pak e mundshme ideja Jurgen Klopp. Në Itali bardhezinjtë ndërkohë mbajnë nën vëzhgim si Paulo Sousa ashtu dhe Eusebio Di Francesco. (Kosova Sot)