I gatshëm të rikthehet

  • 07 February 2016 - 17:45
I gatshëm të rikthehet

Futbolli është e gjithë e jeta e tij dhe për këtë nuk ka dyshime Jose Mourinho. Trajneri portugez u rikthye të flasë për mediet për herë të parë që pas largimit të tij nga stoli i Chelsea-t. Pasditen e të shtunës “Special One” ishte i pranishëm në shkallët e stadiumit “Olympiastadion” të Berlinit duke ndjekur sfidën mes Hertha-s dhe Dortmund-it, ndoshta edhe për të vëzhguar disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel, si Marco Reus, Pierre Aubameyang apo Mats Hummels, pasi Mourinho shumë shpejtë do të drejtojë një skuadër të re që me shumë gjasa do të jetë Manchester United, dhe këta tre futbollistë mund t’i shërbejnë portugezit në aventurën e tij të re. “Nuk ishte një dramë të ndaloja së drejtuari një skuadër për disa kohë, por për të qenë i lumtur, kam nevojë që në jetën time të jetë edhe futbolli. Të jeni të sigurt që shumë shpejtë do të ulem në stolin e një tjetër klubi. Unë pasuesi i Van Gaal te Manchester United? Nuk e di se ku do më çojë futbolli, por familja ime do të vazhdojë të qëndrojë në Londër”, deklaroi portugezi. Në moshën 53-vjeçare Mourinho ka fituar plot 22 trofe si trajner, por cili është sekreti i tij që në vetëm një dekadë është shndërruar në një prej teknikëve më fitues në historinë e futbollit. “Në një klub fitues për të vazhduar të fitosh duhet të krijosh disa konflikte. Duhet të blesh gjithmonë futbollistë të rinj, që të mos i lejosh të relaksohen ata më të vjetrit. Gjithmonë duhet të dish të gjesh një mënyrë për të krijuar stimuj të ri te futbollistët që drejton”, theksoi Jose Mourinho. (Kosova Sot)