Ndërkombëtarizohet gazetaria sportive e Kosovës

  • 09 February 2016 - 16:26
Ndërkombëtarizohet gazetaria sportive e Kosovës

Kongresi i 79-të i Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv (AIPS) po vazhdon punimet në Doha të Katarit. Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës, që po përfaqësohet atje në rolin e vëzhguesit nga presidenti Arlind Grantolli dhe sekretari gjeneral Arlind Sadiku, ka bërë një hap të madhë drejtë pranimit me të drejta të plota, duke kaluar sfidën më të madhe që ka patur para vetes.

Fillimisht, aplikimi i SHGSK-së në AIPS-a është dashur të shqyrtohet nga dega evropiane e këtij institucioni, president i së cilës është greku, Yannis Daras. Ndërsa në komitetin ekzekutiv të AIPS Europe, është edhe serbi Milinkovic Predrag. Meqë këto dy figura vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, në prezantim e sipër para delegatëve nga Evropa, presidenti Yannis Daras kërkoi që të kenë kujdes të veçantë pasiqë kjo është situatë e ndishme dhe jashtzakonisht e ndërlikuar. Ai propozoi që Kosova meqë nuk është pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të vazhdoi të mbajë statusin e vëzhguesit në AIPS-a dhe të mos fitoj të drejtën e anëtarësimit të plotë.

Për përfaqësuesit e SHGSK-së kjo ishte e papranueshme. Në fjalimin e tij para delegatëve të Evropës, kryetari Arlind Grantolli shpjegoi faktet dhe argumentet pse Kosova ka çdo të drejtë të jetë anëtare e AIPS-ës, duke theksuar që shpallja e pavarësisë së në vitin 2008, deri tash, është njohur nga më shumë se 110 shtete shumica e të cilave janë nga Evropa. Pastaj anëtarësimi i plotë i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pranimi i shumicës së Federatave Sportive etj, janë sinjal i qartë se pse nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për të mos u pranuar në AIPS-a.

Pastaj, vazhduan replikat nga përfaqësuesi i Serbisë, Greqisë, Rumanisë etj, shtete të cilat nuk ishin pro Kosovës në Kongres dhe lobinin që kjo qështje të mos kaloi. Por, duke dëgjuar argumentet e kryetarit Arlind Grantolli dhe sekretarit Arlind Sadiku, filluan të ngrisin zërin edhe shtetet e fuqishme si Franca, Belgjika, Italia etj, duke i dhënë një kahje të duhur debatit dhe duke përkrahur Kosovën.

Përfundimisht, pas një diskutimi të nxehtë që zgjati rreth 40 minuta, qështja e pranimit të Kosovës u vu në votim. Nga 34 përfaqsues të shteteve evropiane, 22 votuan për, 9 ishin kundër (në mesin e tyre, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Rumania, Rusia, Spanja etj) dhe tri vende abstenuan.

Në këtë mënyrë Kosova fitoi të drejtën e pranimit me të drejta të plota në Shoqatën Ndërkombetare të Gazetarëve Sportiv. Tash, mbetet që të mërkurën më datë 10 Shkurt, në Kongresin e përgjithshëm dhe përmbyllës të AIPS-ës të zyrtarizohet para shteteve nga mbarë bota, pranimi i Kosovës në këtë institucion. Me këtë rast, presidenti i SHGSK-së, Arlind Grantolli, do të mbajë fjalim falënderues.

Padyshim, ky është lajm i mrekullueshëm për të gjithë gazetarët sportiv të Kosovës, të cilët nga data 10 Shkurt, edhe zyrtarisht janë të barabartë me kolegët e tyre nga mbarë bota dhe nëpërmjet SHGSK-së mund të pajisen me kartela të AIPS-ës, e cila u shërben ekskluzivisht gazetarëve sportiv për të pasur më të lehtë qasjen në aktivetetet sportive ndërkombëtare.

SHGSK-ja, paraprakisht falënderon të gjithë ata që e kanë përkrahur Kosovën në këtë drejtim, pa përjashtim. Kjo nuk është vetëm meritë e kësaj gjenerate aktuale e gazetarëve sportive në vend por e të gjithë atyre që kanë sakrifikuar edhe jetën që më tepër se 60 vjet për egzistencën e gazetarisë sportive në Kosovë.

(Kosova Sot)