Hamilton do të dominojë edhe 10 vjet

  • 10 February 2016 - 09:30
Hamilton do të dominojë edhe 10 vjet

Antoni Hamilton paralajmëron rivalët e britanikut

Babai i Lewis Hamilton-it, Antoni, ka thënë se djali i tij do të qëndrojë në Formula 1 të paktën edhe dhjetë vjet dhe nuk ka arsye të largohet. Ai beson se Lewis do të vazhdojë dominim dhe nuk ka kush ta ndalë

Mercedes po shihet pa konkurrencë në Formula 1

Lewis Hamilton do të qëndrojë edhe për shumë kohë në Botërorin e Formula 1. Ai që e konfirmon këtë është vetë babai i pilotit kampion të botës, Antoni Hamilton, duke paralajmëruar të gjithë rivalët e britanikut. “Lewis do të përmirësohet akoma më shumë. Do të qëndrojë në Formula 1 edhe për 7-10 vjet të tjerë dhe është shumë kompetitiv dhe ky është një lajm i keq për të gjithë pilotët e tjerë. Është ende i ri dhe ka gjithë kohën e nevojshme në favor”, thotë Antoni Hamilton. Lewis Hamilton në muajin janar mbushi 31 vjet dhe, sipas planeve të babait të tij, ai do të qëndrojë në ambientet e Formula 1 të paktën deri në moshën 38-vjeçare, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Ai ka shpirt garues”

Lewis Hamilton u bë pjesë e këtij kampionati në vitin 2007, kur ishte vetëm 22 vjeçar për të humbur titullin botëror kundrejt Kimi Raikkonen. “Ju kurrë nuk mund të thoni kurrë, por unë nuk besoj se ai do të tërhiqet. Ai ka një shpirt garues, me një makinë shumë të mirë dhe i pëlqen shumë të fitojë. Përderisa ai ka një shpirt garues, atëherë ai do të qëndrojë në Formula 1. Mendoj se të paktën edhe shtatë vjet do të jetë në këtë biznes. Ky është i lajm i keq për të tjerët. Nëse të tjerët do të kishin makinën në të njëjtin nivel do të ishte fantastike. Lewis nuk dëshiron që vetëm të fitojë dhe të tjerët të mbesin prapa. Ai dëshiron që edhe të tjerët të jenë në të njëjtin nivel dhe të fitojë me meritë. Fitorja me meritë do të thotë se ai është më i miri”, theksoi babai i Lewis-it.

Mercedes-i pret konkurrencë nga Ferrari

Kampioni i botës në Formula 1, Mercedes, pret konkurrencë serioze nga Ferrari në edicionin e ri. Por, ata presin që edhe McLaren-Honda të shfaqet si konkurrent. Dy ngasësit e Mercedes-it, Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg, kanë dominuar në dy vitet e fundit, duke fituar 32 nga 38 garat. Por, shefi i motorit të Mercedes-it, Andy Cowell, ka thënë: “Askush nuk mund të parashikojë se do të fitojmë sërish. Të gjithë presin se do të mposhtemi nga Ferrari, kurse Honda është po ashtu kërcënim i madh”, u shpreh ai. Cowell e përshkroi avancimin e Ferrari-t me motorin e tyre më 2015 si të “mrekullueshëm”. Sebastian Vettel fitoi tri gara pas edicionit 2014 pa asnjë fitore të ekipit. Hamilton fitoi dhjetë gara në rrugëtimin drejt titullit të dytë të njëpasnjëshëm, kurse Rosberg triumfoi në gjashtë.

(Kosova Sot)